Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka akuzuar qeverinë se nxit grupet kriminale për të ndërmarrë akte të ndryshme. Ish-Presidenti Ilir Meta ka lëshuar akuza të forta në drejtim të kryeministrit Edi Rama, se ky i fundit nxit grupet kriminale për ngjarje që të shfokusojnë publikun, nëse fokusi është te qeveria. Në një konferencë për mediat, Meta theksoi se për këto akuza ka fakte. Më konktretisht këto bëhen që të shfokusohet vëmendja e opinionit publik nga vjedhjet dhe korrupsioni.
“Letra iu drejtua Parlamentit, pasi është institucioni kryesor në Shqipëri. Ka detyrim të kontrollojë qeverinë. Është përgjegjësia e Parlamentit që të përqëndrohet në zgjidhjen e kësaj çështje. Të gjitha zhvillimet e mëpasshme, mund ta bëjnë kontributin e Begajt në të ardhmen. Pasi kryeministri ka marrë disa vendime të faktit të kryer, në mënyrë tinëzare për të ecur me faktin e kryer. Është detyrë e Parlamentit në rradhë të parë dhe më pas e çdo institucioni. Kur diskutojmë për këtë çështje, të mos nxisim retorika kundër Greqisë. Një nga qëllimet e Ramës është për të spostuar vëmendjen nga vjedhjet që ndodhin këtu. Shpik një konflikt me Greqinë. Jam për të evituar edhe retorikën kundër Serbisë.
Nuk na e ka fajin Vuçiçi që ky bëhet ogiç i Vuçiçit. Atij i ikën nga Serbia 1 për 1000 banorë. Ndërsa ne na ikin 10 në 1000 banorë. Ne nuk duhet të biem në lojrat e këtij. Qëllimi i këtij ky është, të shpiki konflikte, rrëmuja. Madje ka dhe të dhëna, që në bashkëpunim me grupe kriminale, kur ka ngjarje ku është e fokusuar qeveria e këtij dhe korrupsioni, nxisin grupet kriminale për të bërë akte që të dalë në plan të parë kronika e zezë për të shfokusuar vëmendjen. Mos u habisni për këto gjëra”, përfundoi Meta.