”Mos më detyro të futem në zgjedhje”/ Meta i përgjigjet ashpër Ramës

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka reaguar në lidhje me një postër të vendosur në Gjirokastër, ku shihen në foto ai, ish kryeministri Sali Berisha, kryetarja e LSI Kryemadhi dhe kryedemorkati Basha.

Në foto shkruhej se ata, përfshirë edhe vetë Metën nuk e meritojnë më asnjë shans, dhe se të gjithë shfaqeshin si të arrestuar.

Meta u shpreh se ai nuk është pjesë e fushatës, por nëse nuk e besojnë, mos ta detyrojnë që të hyjë pasi do të ngelen pa grup parlamentar.

Madje, ai tha se nëse merr dhe doktorin e madh duke nënkuptuar Berishën, nuk ka spital që i bën derman, duke i hapur sfidë kryeministrit Edi Rama.

”Dy foto të pabesueshme nga Gjirokastra, që m’i nisi miku i shtrenjtë i demokracisë shqiptare, Martin Henze.  Asnjë shqetësim për psikopatinë tuaj ZOTI “RILINDAS”, por nëse vërtet e besoni, që unë jam në garë për 25 Prillin, mos më detyroni të hyj vërtet pasi do të mbeteni pa grup parlamentar.

Pale po mora edhe Doktorin e Madh, nuk ka spital, që ju bën derman! Ndaj respektoni Kodin Zgjedhor dhe boll e tepruat me shkelje se i nxitë faqen Shqipërisë para botës!’’, shkruan Meta në rrjetin social, Facebook.