Aktori i njohur, Luftar Paja para tre ditësh është injektuar me dozën e parë të vaksinës kineze anti-covid të prodhuar nga kompania ”Sinovac”.
Në një intervistë të dhënë për ‘Shqipëria Live’, Paja tha se nuk ka pasur asnjë efekt anësor, ndërsa thotë se ndihet shkëlqyeshëm.
Ai u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të mos hezitojnë të marrin vaksinën dhe të mos ndikohen nga propaganda e keqe, pasi sipas tij, shëndeti nuk ka as të majtë dhe as të djathtë.
“E kam bërë vaksinën në datën 28. Jam shkëlqyeshëm, jo mirë, por shkëlqyeshëm. Nuk kam pasur asnjë problem. Do të shkoj të bëj vaksinën në fillim, që të jem i sigurt dhe t’u them atyre që votojnë, shkoni bëni vaksinën. I them skeptikëve, mos hezitoni se shëndeti nuk ka të majtë e të djathtë, popullsia duhet të vaksinohet. Dua që gojët e liga të mos merren me propagandën e keqe për shëndetin. Shëndeti nuk do t’ia dijë je i majtë apo i djathtë”, u shpreh Paja.