Mori dozën e dytë të vaksinës së Pfizer, infermieri nga Hasi shtrohet në spital

Një infermier nga Hasi është shtruar në gjendje të rëndë në spital vetëm pak ditë pasi mori dozën e dytë të vaksinës anti-covid të prodhuar nga kompania Pfizer.

Infermieri Muhamet Lleshi ka patur probleme si enjtje dhe fryrje abdominale, ndaj familjarët e kanë nisur me urgjencë drejt spitalit të Gjakovës, shkruan Fax News.

Të afërm të infermierit Lleshi u shprehën se pas analizave të gjakut, ka rezultuar se treguesi për mpiksjen e gjakut ishte 4 herë më i lartë nga norma maksimale.

Fatmirësisht, tashmë gjendja e tij shëndetësore  është përmirësuar dhe ai po vazhdon trajtimin në banesën e tij. Megjithatë, kolegët e tij në Has kanë dhënë një version tjetër.

Sipas tyre, infermieri ka pasur probleme të hershme me këtë patologji duke këmbëngulur që përkeqësimi i gjendjes shëndetësore nuk ka ardhur për shkak të vaksinës Pfizer.

Lidhur me ngjarjen nuk ka ende një reagim zyrtar nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë.