Morën peng anijen e mallrave, arrestohen 7 shqiptarë në Britaninë e Madhe

Shtatë persona, të dyshuar shqiptarë janë arrestuar pasi morën peng për 16 orë një anije mallrash pranë ishullit Portland në Britaninë e Madhe.

Anija ishte nisur nga Franca dhe do të ankorohej, në Portland. Shërbimi i ndihmës së shpejtë tha se një person kishte nevojë për kujdes mjekësor në bordin e Chise Bulker në orët e para të së martës.

Por, policia më pas zbuloi se në anije ishin shtatë persona të paidentifikuar dhe askush nuk kishte nevojë për ndihmë mjekësore, shkruan BBC.

Policia e Dorset tha që ekuipazhi i anijes po merrej në pyetje, por nuk kishte raportime për ndonjë dëmtim të ekuipazhit ose të arrestuarve.

Një zëdhënës i forcës detare tha se policia ishte kontaktuar nga shërbimi i ndihmës së shpejtë në 05:40 GMT kur anija ishte në brigjet e jugut. Shqiptarët e arrestuar do të përballen me autoritetet e emigracionit.