Massimo Moratti është rikthyer të flasë për formën e mirë që po kalon Interi këtë sezon, në eventin ‘Sport Movies & Tv 2017, 35th Milano International FICTS Fest’. Ish ‘bossi” i zikaltërve është shprehur i lumtur me ecurinë që ka ekipi në drejtimin e Spalletit, po ashtu i pëlqen serioziteti që djemtë përgatitin ndeshjet dhe çdo gjë deri tani e kanë arritur me meritë. Moratti nuk ka preferuar të komentojë çështjen e titullit, por ka kërkuar që të jenë me këmbë në tokë dhe të jenë të fokusuar tek objektivi Champions league.“Titulli? Nuk është një utopi, por të mos e përmendim e mos të flasim për çështje tersi”, u shpreh Moratti.
“Po luan seriozisht, është solide dhe sjell në shtëpi pikët me meritë. Inter u nis me idenë që të arrijë në zonën Champions dhe ai mbetet objektivi. Dua të them që kinezët janë njëherësh dorëlëshuar, por edhe të kujdesshëm. Nëse do të ishte e nevojshme, atëherë një sforco do ta bënin. Jam i çuditur nga rezultatet e Juventusit. Interi nuk më surprizon, sepse unë jam tifoz dhe në fillim gjithmonë ëndërrohet. Mund të jetë një avantazh nënvlerësimi i Inter nga skuadrat e tjera, gjithsesi nevojitet të fitohet pozicioni”, deklaroi ndër të tjera, ish-numri 1 i klubit zikaltër.