Teksa liston argumentet që e çuan për të anuluar zgjedhjet vendore të 30 qershorit, Meta tha ndër të tjera se arsyeja primare ishte siguria kombëtare dhe stabiliteti i vendit.
Kreu i Shtetit, deklaroi para Komisionit Hetimor se kishte marrë informacion se me 8 qershor, datën e protestës kombëtare zhvilluar nga opozita e bashkuar, disa persona të caktuar kishin në plan për të djegur Kuvendin.
Ndër të tjera, Meta theksoi se destabiliteti i vendit do të bëhej duke shfrytëzuar protestën e opozitës.
“Në themel të kushtetutës është pluralizmi politik dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme, çdo lloj afati është sekondar ndërsa parësor është mbrojtja e të drejtës me zgjedhje, më qartë se sa gjykata askush nuk mund ta sqarojë. Sa i takon aspekteve të tjera, një arsye themelore, është siguria kombëtare, stabiliteti i vendit. Mund t’ju them që presidenti për shkak të detyrës ka patur informacione si në rrugë zyrtare edhe shtetërore, për përpjekje për të realizuar akte destabilizimi. Më 7 qershor, presidenti ka marr një informacion sekret dhe i klasifikuar, persona të caktuar do përpiqeshin të shfrytëzonin mitingun e opozitës, përvec akteve të tjera edhe për djegien e Kuvendit të Shqipërisë. Ishte informacion i ri, por i besueshëm nëse kemi parasysh protestat e mëparshme, ngjarjet para Kuvendit të Shqipërisë”, dëshmoi Meta .