Bota

Moikom Zeqo në krah të Albin Kurtit: Një shëmbëlltyrë për Shqipërinë (VIDEO)


               Publikuar në : 12:36 - 09/12/19 M S

Nga Marsela Sinani

Ish-deputeti e akademiku Moikom Zeqo, ngre në piedestal figurën e Albin Kurtit, duke e cilësuar atë si liderin më të ditur dhe më me kulturë politike në të gjithë trevat shqiptare. Ky ishte vlerësimi i shkrimtarit Zeqo, teksa foli për zhvillimet në Kosovë e Shqipëri, në një intervistë ekskluzive për “Tirana Today”.

Me Kurtin në krye të qeverisë së Kosovës, akademiku është i bindur se do të qeverisë me “duart të pastra”, pasi partia e tij “Vetëvendosja” fitoi shumicën e votave, gati 15 vjet që kur u themelua si një lëvizje që lobonte kundër një marrëveshje të negociuar me Serbinë mbi fatin e Kosovës.

“Unë e konsideroj një ngjarje shumë të madhe, që një parti e cila ndenji 20 vjet në opozitë bazuar mbi moralin, që nuk akuzohet dot për vjedhje ose korrupsion siç është “Vetëvendosja”. Me një lider që është lideri më i ditur, dhe më me kulturë politike që ka në të gjithë trevat shqiptare, që është Albin Kurti”, tha z. Zeqo.

Një faktor i rëndësishëm mbetet modeli qeveritar që Albin Kurti do të prodhojë në Kosovë, në mënyrë që ai të reflektojë edhe në Shqipëri. Akademiku, Moikom Zeqo është i bindur se Kurti do ketë një qeverisje model, duke shërbyer edhe si një shembull për Shqipërinë.

“Unë e konsideroj këtë një fitore të një force politike të pa korruptuar. Kam shpresë ndryshe nga ç’mund të thonë shumë analistë, ose njerëz të cilët janë edhe dashakeqës, që Albin Kurti dhe qeveria që do të krijohet do të bëj përmirësime. Mund të mos bëjë çudinë e madhe, por do ketë një qeverisje model, ç’ka do ndikojë në emancipimin edhe në qeverisjen problematike që ka shteti i Shqipërisë”.

Publicisti e arkeologu Moikom Zeqo, duke bërë një paralelizëm me klasën politike në Shqipëri, mbetet shpresëplotë se rinia është ajo që do të bëjë ndryshimin. Për të, elita politike i ka dhënë provat se po shkon drejt rrënimit, e ndërsa rinia duhet të marrë nën kontroll levat e qeverisë.

“Shpresa nuk ekziston tek klasa politike, që e kam quajtur klasë parapolitike. Shpresa ekziston tek gjenerata juaj, tek rinia. Ketë që bëni si rini, duket sikur jeni në minorancë. Ose jeni pak njerëz idealistë. Botën e bëjnë njerëzit idealistë, që besojnë”.

Sa i përket politikave, marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë dhe nismat rajonale siç është ideja e “Mini Shengenit” të Ballkanit, ide e hedhur nga kryeministri Edi Rama, presidenti i Serbisë Aleksandar Vučić dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, akademiku shpreh haptazi kundërshtinë. Për të, kjo është një ide e cila nuk duhet të gjej terren, pasi nuk mund të bësh një “Mini Shengen” me Serbinë, e cila në Kushtetutën e saj e ka të sanksionuar se Kosova është pjesë e Serbisë.

“Unë e kam kritikuar “Mini Shengenin”. E para, emërtimi është i gabuar. Ballkani është edhe Mali i Zi, Greqia, është Bullgaria, Rumania. Greqia dhe Mali i Zi janë vende të NATO-s. Ne jemi vend i NATO-s. Nuk mund të bësh një “Mini Shengen” me Serbinë, e cila në Kushtetutën e saj e ka të sanksionuar faktin që Kosova është pjesë Kushtetuese e Serbisë. Kushtetutshmërisht, presidenti i Serbisë përfaqëson edhe Kosovën.

Marrëdhëniet Kosovë-Serbi, kanë vetëm një premisë. Nëqoftëse nuk realizohet, është një lojë fjalësh. Kush është kjo premisë? Njohja e pavarësisë dhe integritetit të Kosovës. Po nuk u realizua kjo premisë, të gjitha gjërat janë pa kuptim”.

TIRANA TODAY     


Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT