Mjeku Sulçebe zbulon sa vaksina i duhen Shqipërisë për përballimin e Covid-19

Mjeku i njohur, Genc Sulçebe zbuloi në emisionin “Open” se duke llogaritur gjithë shtresat vulnerabël të shoqërisë, Shqipërisë do mund t’i duhen rreth 4 milionë doza vaksine anti-Covid.

Kjo sasi do të jetë e mjaftueshme për 2 milionë shqiptarë, pasi duhen 2 doza për çdo person.

Genc Sulçebe: ”Përsa i përket shifrave, duhet të jetë një epidemiolog shumë i sofistikuar që t’i llogarisë. Megjithatë unë mendoj se një 2 milionësh do ishte i mjaftueshëm. Pra duhen 4 milionë doza që infeksioni të shuhet. Përveçse në Britaninë e Madhe, ku vaksinimi po shkon mirë, në Francë po has probleme.”

Aktualisht, Shqipëria ka siguruar 500 mijë dozat e para të vaksinës anti-covid nga kompania Pfizer.

Mësohet se 10750 dozat e para të kësaj vaksine, sipas kontratës, do mbërrijnë në Shqipëri në fillim të javës së tretë të janarit. 30250 doza të tjera do vijnë në shkurt dhe të tjerat me radhë muaj pas muaj në bazë të planit të vaksinimit.