Mjekët: Kosova nuk ka teste për gjithë popullatën

Autoritetet shëndetësore në Kosovë janë kritikuar disa herë për numër të vogël të testimeve për personat e dyshuar me koronavirus.

Ndërkohë mjekët kanë deklaruar se nuk kanë teste për të testuar të gjithë qytetarët si të dyshuar.

Megjithatë, ata shprehen se në ditët në vazhdim do rrisin nivelin e testimeve të personave, por kërkojnë nga qytetarët dhe organizata të ndryshme që të mos bëjnë presion në personelin mjekësor që t’i nënshtrohen testeve.

Nga 8 shkurti i këtij viti, rreth 7,000 persona në Kosovë janë testuar si të dyshuar me COVID-19.

Kurse, aktualisht Kosova ka mbi 7,300 teste në dispozicion, thotë në një përgjigje për “Radion Evropa e Lirë”, Faik Hoti zëdhënës në Ministrinë e Shëndetësisë.