Misteri shumëvjeçar: Ku ndodhet deklarata origjinale e pavarësisë së Shqipërisë

Deklarata origjinale e Pavarësisë së Shqipërisë, e firmosur më 28 nëntor 1912 në Vlorë nga delegatët e të gjitha krahinave të Shqipërisë etnike, nuk dihet se ku ndodhet.

Versioni që qarkullon sot, është një riprodhim i këtij dokumenti i publikuar në vitin 1937 nga Lef Nosi, me rastin e 25-vjetorit të pavarësisë. Historianët thonë se pas vdekjes së Ismail Qemalit, ajo u ruajt deri vonë nga djali i tij i dytë, Qazimi, që vdiq në Strugë të Maqedonisë.

Një tezë tjetër, është se dokumenti mund t’i jetë dhuruar ish-udhëheqësit jugosllav Josip Tito nga komunistët shqiptarë, dhe se dokumenti historik ndodhet në Arkivin e Beogradit.

Disa të tjerë mendojnë se ai mund të jetë në Perëndim, në ndonjë nga arkivat e Evropës, ose t’i jetë dhuruar ndonjë koleksionisti. Në vitin 1912, u pretendua se dokumenti origjinal ishte gjetur në arkivat e familjes Marubi në Shkodër.

Por, ekspertët thanë se bëhej sërish fjalë për një kopje. Kështu edhe pse kremton sot 108-vjetorin, Shqipërisë i mungon “certifikata” e lindjes si shtet.

TIRANA TODAY