Operacioni i kërkim-shpëtimit është drejt përfundimit, ndërsa pritet të nisë faza e re për vlerësimin e gjendjes së godinave.
Përmes një postimi në “Facebook”, i ngarkuari i kryeministrit Edi Rama si drejtuesi fuqiplotë i operacioneve për fatkeqësinë natyrore nga tërmeti, Bledi Çuçi theksoi se kjo fazë kërkon angazhim maksimal. Ndërsa u shpreh se ka nisur puna me strukturat dhe autoritetet për përmbushjen e detyrave të përcaktuara nga Rama.
“Fill pas mbledhjes së qeverisë sot, ku më është ngarkuar nga Këshilli i Ministrave koordinimi i grupit të menaxhimit të krizës së shkaktuar nga tërmeti në qarkun e Durrësit, kemi nisur punën me strukturat dhe autoritetet që po ndjekin hap pas hapi në terren situatën e vështirë dhe përmbushjen e detyrave të përcaktuara nga Kryeministri. Falë përpjekjes së madhe të ekipeve të emergjencave nga brenda dhe jashtë vendit, operacioni i kërkim-shpëtimit po shkon drejt fundit.
➡️ Tani po bëhemi gati të nisim një fazë të re, po aq të vështirë sa kërkim-shpëtimi dhe që kërkon angazhim maksimal të të gjitha strukturave.? Grupe të përbashkëta pune me inxhinierë dhe teknikë shqiptarë e të huaj do të bëjnë vlerësimin e gjendjes së godinave, izolimin e tyre sipas rastit dhe përllogaritjen e të gjitha dëmeve. Ky proces i paraprin përpjekjes tjetër të përbashkët për rindërtimin e shtëpive të shembura nga tërmeti shkatërrimtar dhe strehimin e të gjithë banorëve”, shkruan Çuçi.