Ka nisur këtë të mërkurë në Konferencën e Kryetarëve mbledhja ku ministri i Financave, Petrit Malaj po prezanton projektbuxhetin për vitin 2026.
– Advertisement –
Ministri theksoi se përparësi për buxhetin e ri janë financat publike, plani i rritjes si dhe rritja e standardeve të jetesës së qytetarëve.
“Projektbuxheti 2026 i miratuar tashmë nga Këshilli i Ministrave dhe që paraqesim sot në këtë konferencë, reflekton qartë prioritetet e programit të qeverisë 2025-2029, për financat publike më të shëndosha, për financimin e planit të rritjes, zhvillimin gjithëpërfshirës të ekonomisë, por mbi të gjitha kombinimin dhe angazhimin tonë konstant për rritjen e mirëqenies së qytetarëve tanë, që është edhe kryefjala e këtij dokumenti. Me 886.7 miliardë lekë shpenzime publike të parashikuara, fokusi do të jetë te mirëqenia sociale, te ndihma e investimeve për një infrastrukturë më moderne, te përsosja e sistemeve digjitale, te zhvillimi i energjisë së gjelbër, si dhe te zhvillimi i kapitalit njerëzor”, tha Malaj.
Deputetja demokrate Jorida Tabaku tha se nuk mund të miratojnë kalendarin për diskutimin e projektbuxhetit 2026 pa paketën fiskale, e cila ende nuk është dorëzuar në Kuvend.
Ministri Malaj shpjegoi se paketa fiskale do të dorëzohet brenda javës në Kuvend, pasi është ende në konsultim me grupet e interesit dhe se i është dërguar faktorit ndërkombëtar.
“Paketa fiskale është në konsultim me grupet e interesit dhe kryesisht me faktorin ndërkombëtar. Po bëjmë përafrim të legjislacionit tatimor dhe doganor me direktivat e BE-së. Jemi të detyruar ta konsultojmë edhe me ata. Do vijë në Kuvend gjatë javës së ardhshme. Nuk presim ndryshime në paletën fiskale, por për procedurë duhet t’ua përcjellim që të marrim dritë jeshile.”, tha Malaj.
“Çfarë do të miratojmë ne kur ende nuk ka ardhur paketa fiskale, edhe pse në projektbuxhet janë parashikuar të ardhura që rriten prej paketës fiskale?”, tha Tabaku.
“Nuk kushtëzohet prezantimi i buxhetit me paketën fiskale.”, tha Peleshi.
“Qeveria mund të vendosë që s’do e sjellë fare.”, tha Balla.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gamzen Bardhi, ka propozuar që shqyrtimi për projektligjin e buxhetit të shtyhet për javën pasardhëse me qëllim që së bashku me këtë projektligj të vijë dhe paketa fiskale.
“Kalendari i posaçëm që ne miratojmë sot nuk do të përfshijë vetëm shqyrtimin e projektligjit të buxhetit, se rregullorja na flasin për një kalendar të veçantë, që përfshihet edhe paketa fiskale. Nuk kemi qenë ne drejtimin e Kuvendit, që ky Kuvend qëkur drejtohej nga Gramoz Ruci, ka ndodhur dy herë në 12 vite që Konferenca e Kryetarëve nuk ka pranuar prezantimin e projektligjit të buxhetit pa ardhur paketa fiskale. Ju ftoj të respektoni Kushtetutën. Nëse ministria kërkon 1 javë kohë për të përmbyllur paketën fiskale, mund të ngushtohet kalendari që të arrijmë afatet e miratimit brenda këtij viti, por duhet që projektligji i buxhetit të vijë bashkë me projektligjet financiare. Ministri sapo konfirmoi që është duke bërë një paketë. Meqë thotë që vjen javën tjetër, ta miratojmë javën tjetër”, tha Bardhi.














