Pas kryeministrit Edi Rama, edhe Kreu i Shtetit Ilir Meta i ka dalë në mbrojtje Thaçit dhe Veselit, ndërsa shtoi se Serbia që shkaktoi luftën, po njollos UÇK-në. Politika shqiptare ka dhënë provat se ka qenë e unifikuar në qëndrimin për Kosovën dhe luftën e UÇK-së, pas akuzave për krime lufte ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit.
“Çështja e dytë është për aktakuzat e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit. Natyrisht që është një zhvillim mjaft sfidant, i cili absolutisht që jam i sigurt që do të përballohet me shumë urtësi, unitet dhe largpamësi nga jo vetëm këto dy personalitete, por edhe nga presidenti i cili ka qenë udhëheqësi kryesor politik i UÇK, por edhe Veseli. Që duke vlerësuar se nuk është një sfidë e tyre në planin individual, jam i bindur që do të përballohet me shumë dinjitet dhe përgjegjshmëri jashtë kalkulimeve afatshkurtra nga klasa politike në Kosovë.
Nuk është hera e parë që ndaj udhëheqësve të UÇK-së të kemi aktakuza, të gjithë kemi eksperiencën e këtyre 20 viteve, ku pala që shkaktoi luftën dhe genocidin e ka kthyer në një strategji të sajën njollosjen e UÇK-së, por jo vetëm kaq. Por edhe dëmtimin e funksionimit të shtetit të Kosovës, pavarësia e të cilit jo vetëm që është njohur nga gjykata ndërkombëtare e drejtësisë, por edhe ka treguar se është faktor stabiliteti për rajonin.
I shpreh solidaritetin tim edhe si president, por edhe si mik dhe shok me presidentin e Kosovës, por edhe me kryetarin e PDK-së. Dhe jam i sigurt që ata do ta përballojnë me mjaft dinjitet për të konfirmuar edhe njëherë tjetër drejtësinë e luftës së UÇK-së dhe rrëzuar këtë strategji provokative që kërkon të mbajë peng rajonin dhe të minojë integrimin si në disa vende fqinje”, tha Meta.