Presidenti Ilir Meta priti ditën e sotme në takim delegacionin e nivelit të lartë të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës, i cili po zhvillon një mision fakt-mbledhës në Shqipëri.
Meta falenderoi për zhvillimin e këtij misioni dhe vlerësoi veçanërisht faktin që Shqipëria vizitohet nga niveli më i lartë i përfaqësimit të Kongresit me Presidentin z.Anders Knape, me Presidentët e dy Dhomave, të Autoriteteve Lokale, z.Xavier Cadoret dhe të Rajoneve znj.Gunn Marit Helgesen, si dhe me Sekretarin e Përgjithshëm z.Andreas Kiefer.
Kreu i Shtetit vlerësoi rolin e Kongresit si garant i parimeve të Kartës Europiane për Vetëqeverisjen Vendore dhe angazhimin e tij për monitorimin serioz të situatës në Shqipëri.
Meta theksoi se Shqipëria ndodhet në një krizë sui generis përfaqësimi, dhe në çeikulibër të plotë të mekanizmave të kontrollit dhe balancës.
“Votimet njëpartiake të 30 qershorit nuk i dhanë zgjidhje krizës, por cenuan rëndë edhe demokracinë vendore, duke e zhytur më shumë vendin në rrugën e paligjshmërisë dhe kapjes së shtetit”, vuri në dukje Presidenti Meta.