Vjen përgjigja e presidentit, pas diskutimeve të shumta sot në Kuvend, para miratimit të rezolutës kundër vendimit të Metës për të shfuqizuar dekretin për zgjedhjet vendore.
Këshilltari ligjor i presidentit, Bledar Dervishaj tha në një konferencë për shtyp se presidenti ka dëgjuar me vëmendje të gjitha diskutimet e sotshme në Kuvend, ndërsa shtoi se retorika politike nuk i shërben zgjidhjes së krizës aktuale.
Më tej, ai ritheksoi se vendimi i presidentit është marrë në interes të vendit dhe se ai mund të gjykohet vetëm nga Gjykata Kushtetuese.
Fjala e Dervishit:
Pas debateve në parlament, presidenti vendosi të njohë opinionin publik lidhur me vendimmarrjen e tij për zgjedhjet lokale
Institucioni i presidentit ka ndjekur me vëmendje të gjitha diskutimet, edhe ato në seancën plenare, ku është diskutuar vendimi i presidentit për shfuqizimin e dekretit për zgjedhjet.
Në vend të një diskutimi ligjor, mbi arsyet ku presidenti u mbështet kur mori këtë vendim, apo ku mund të diskutohej për zgjidhjen e krizës, u lëshuan lumenj fyerjesh kundër institucionit të Presidentit. Kjo retorikë nuk i shërben aspak as zgjidhjes së krizës dhe as paqes në vend.
Presidenti vlerëson edhe një herë se dekreti i tij për shfuqizimin e zgjedhjeve është marrë bazuar tërësisht në argumentet kushtetues.
Vetëm Gjykata Kushtetuese mund ta gjykojë vendimin e presidentit, i cili është marrë me përgjegjësi për të shmangur çdo mundësi që të provokojë një përplasje më 30 qershor.