Në një kohë që mbledhjet e përbashkëta mes Kosovës dhe Shqipërisë nuk po bëhen, për shkak të pandemisë Covid-19, Kurti hedh idenë e një takimi. Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka hedhur idenë e një takimi të ngushtë me palën shqiptare, ndonëse deri më tani nuk ka marrë asnjë përgjigje. Këtë e ka zbuluar gjatë një interviste në emisionin “Përballë”. Kurti tha ndër të tjera se dy qeveritë mund të kishin berë edhe më shumë, në këtë periudhë pandemie.
“Edhe në këtë kohë të pandemisë, mund të kishim bërë më shumë. Ekzistonte një iniciativë për të cilën edhe Presidenti i Kosovës ishte dakord edhe Kryeparlamentarja e Kosovës që meqënëse nuk po realizojmë mbledhje të përbashkëta të dy qeverive siç e kishim menduar për në fund të marsit, kemi mundur shumë kollaj që të kemi një takim prej gjashtë vetave, Rama, Meta, Ruçi, Thaçi, Osmani dhe unë. Dhe mendoj që tek çështja e kombit nuk duhet të ndahemi ekzekutiv dhe legjislativ, tek çështja e demokracisë këto ndahen. Dhe një takim prej gjashtë vetave, kudo o në Shqipëri o në Kosovë, do të ishte besoj shumë i dobishëm për dy vendet tona dhe për kombin shqiptar. Por nuk mora një përgjigje në këtë rast. Dhe mendoj që duhet të intensifikojmë bashkëpunimin, mundësitë janë më të mëdha. Shpresoj që kur te zbutet pak kjo pandemi, do të mund të kompensojë diçka nga koha e humbur”.
Sipas kryeministrit në detyrë të Kosovës, qeveritë e dy vendeve duhet të rrisin më shumë bashkëpunimin mes tyre, veçanërisht në vende të rëndësisë të lartë, siç është dhe forumi i vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Besoj që si kryeministër i Republikës së Kosovës dhe z. Rama si kryeministër i Shqipërisë, ne të dy në të gjitha këto forumet e Ballkanit Perëndimor, duhet të koordinohemi më shumë seç po bëjmë. Pasi të kalojë kjo pandemia e koronavirusit, ne mund të kemi një rol shumë më të madh për kombin shqiptar, në përgjithësi seç po e bëjmë aktualisht. Mos harroni se nga 6 vende të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria dhe Kosova bëjnë një të tretën, vetëm edhe një shtet tjetër po të jetë me ne, ne bëjmë gjysmën. Shpesh herë jemi katër shtete, sepse edhe Mali i Zi dhe Maqedonia është me ne”, tha Kurti.