Meta: Qeveria të ndalojë urgjentisht pagesat për koncesionet

Presidenti i Republikës Ilir Meta, në një intervistë dhënë për RTSH Korça, ka komentuar situatën politike në vend dhe gjendjen për shkak të koronavirusit.

Sipas Metës, duhet të ishte bërë shumë më tepër për të mos patur një menaxhim të improvizuar, kaotik, me ndryshime vendimesh sipas konjukturave apo momenteve të caktuara.

Kreu i shtetit u shpreh se duhej të ishte një menaxhim krejt tjetër nga ana profesionale, sakaq shtoi se mbështetja për biznesin duhet të ishte shumë herë më e madhe.

Presidenti Meta: ”Duhet të ishte bërë shumë më tepër për të mos patur një menaxhim të improvizuar, kaotik, me ndryshime vendimesh sipas konjukturave apo momenteve të caktuara.

Duhet të kishim pasur një menaxhim shumë më profesional, por për fat të keq ka pasur mjaft politizim nga ana e Qeverisë, e cila nuk e ka konsideruar këtë çështje si prioritet të parë dhe më të rëndësishëm, ndonëse shëndeti dhe jeta e qytetarit janë gjëja më e çmuar dhe më e shtrenjtë për çdo shoqëri dhe për çdo shtet demokratik.

Në fund të dhjetorit, në qoftë se ju e kujtoni, unë u detyrova të ktheja buxhetin e shtetit për rishikim, ku shqetësimi im kryesor ishte  mbështetja e sektorit të shëndetësisë për një përballim më efikas të pandemisë.

Burimet financiare ekzistonin dhe ekzistojnë, sepse në të njëjtin buxhet ku tashmë kemi hyrë, u dyfishua pagesa për koncensionet, që përveç dyshimeve për kostot dhe leverdisshmërinë e tyre, edhe mund të shtyheshin sepse çështja e shëndetit të popullatës është prioritet mbi prioritetet.

Për fat të keq nuk e kemi parë këtë prioritet të materializuar në masa e në veprime konkrete, si blerjen e pajisjeve jetëshpëtuese në spitalet që trajtojnë COVID-in, përforcimin e kapaciteteve të spitaleve rajonale për të trajtuar pandeminë apo edhe rimbursimin e shpenzimeve, tepër të larta për të gjithë ata që jetojnë në kufijtë e varfërisë, dhe sidomos për ata që mjekohen në familje.  Shpresojmë të ketë një reflektim të menjëhershëm!”