Editorial - Opinione

Meta që shpëtoi ‘Rajshtagun’, por ‘djeg’ Bashën

               Publikuar në : 17:40 - 09/09/19 M. S

Nga: Alfred Lela

Ilir Meta, President i Republikës, është shfaqur sot në promenadën Presidencë -Kryesi e Kuvendit, dhe në seancën dëgjimore të Komisionit të Ligjeve, ashtu siç ai ëndërron veten dhe parajsën politike. I bronzatuar, i qetë, shtetëror dhe i respektuar. Un uomo d’onore, siç thonë italianët e Mafias.

Komunikimin, si atë verbal edhe atë pamor, e pati si përherë të kursyer. Ndryshe nga Rama që thirret të flasë shumë dhe përmbys çdo zgjatje apo gabim me parabola dhe ironi, dhe Basha, që shkurt apo gjatë, është i drunjtë dhe mekanik, Meta e gjen stilin e vet te mungesa e stilit.

Edhe në përballjen me një komision hetimor kuvendor, që i kall datën cilitdo politikan të një demokracie parlamentere normale, Presidenti ruajti një fizionomi politike të qartë. Jo pa qëllim ai e kërkoi precedentin e gjenezës të dekreteve presidenciale të ngjashme me të tijin te Ramiz Alia.

Sikur donte të intimidonte ‘rioshët’ e opozitës parlamentare, dhe t’u kujtonte më të vjetërve se ai ishte, këtu dhe gjithkund, para tyre. Në mos për të thënë se, edhe ‘themeluesit’ të demokracisë Ramiz Alisë, bijtë e tij politikë nuk ia kalonin dot sa për të shtyrë një palë zgjedhje lokale me 2 muaj.

Nuk janë këto imtësi megjithatë që ranë në sy. Me të drejtë media u ngul mbi ‘pjalmin’ e një fjalie të mbrapshtë për opozitën: më 8 qershor do të digjej parlamenti. Presidenti e bëri të qartë se ky akt do të kryhej nga persona në radhët e opozitës, duke përmendur madje edhe ‘precedentin’ tjetër, që i dha fund parlamentarizmit gjerman në vitet ’30 të shekullit të shkuar, dhe i hapi rrugë Luftës së dytë Botërore dhe tragjedisë njerëzore që pasoi.

Me anë të kësaj ‘kirurgjie politike’ Presidenti ‘preu thellë’ te legjenda se, ishin amerikanët që ia ndalën vrapin Bashës duke i caktuar ‘vijën e kuqe’ dhe se është Ilir Meta ai që mori masa, që para zbarkimit të amerikanëve. ‘Europa e Metës’ shpëtohej edhe pa një D Day të aleatëve, me pak fjalë. Pa u fundosur në këto arabeska politike, ajo ç’ka Meta me të vërtetë ka kërkuar me anë të deklarimit të sotshëm me ‘rajashtag’ është gjetja e një exit-i, e një stratagjie të re për të përligjur 30 qershorin dhe pozicionin e tij në lidhje me të.

Ai mendon se, politikisht dekreti i tij nuk vlen më dhe kërkon t’i bëjë frymëmarrje artificale për ta ringjallur, jo më si dokument ligjor, por si ‘manja kartë’ të shpëtimit kombëtar. Kur kapërcimet janë të tilla, të mëdha dhe fantastike, për besueshmërinë e tyre kërkohet një flijim. Meta ka preferuar Bashën si të tillë, duke e etiketuar atë dhe ndjekësit e tij si skenaristë të djegies së parlamentit. Reagimi i shpejtë i Sekretarit të Përgjithshëm Bardhi, se PD nuk ka patur asnjë synim të tillë, nuk do të thotë asgjë politikisht (ky përgënjeshtrim pritej). Meta ka nxituar për të nxjerrë veten nga mesi politik, dhe për të futur aty Bashën.

Tani është Rama, ‘hajduti psiqik’, që mund të argëtohet nëse don. I shfrytëzuar për një kohë të gjatë si plastelinë për të ndërtuar gogolin e diktatorit, një kundërshtar i jep atij figurën e ‘djegësit të Rajshtagut’ për liderin e opozitës..

Ç’mund të bëjë tjetër Rama me këtë plastelinë politike veçse ta zgjasë?! E kështu, edhe në pastë shpëtuar “Rajshtagun’ nga djegia, Meta sot dogji Bashën.

 

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT