Meta: Nuk ka ambasadë që t’i bëjë strehë Ramës nëse preket vota

Teksa na ndajnë më pak se dy ditë nga zgjedhjet e 25 prillit, Presidenti i Republikës, Ilir Meta vijon përplasjen në distancë me kryeministrin Edi Rama.

I ftuar në emisionin ”Çim Peka Live”, Meta paralajmëroi Ramën, se nëse prek votën nuk do të ketë ambasadë që do t’i bëjë strehë.

Ndër të tjera, Kreu i Shtetit tha se të dielën nuk do të zhvillohen zgjedhje si të Dibrës apo si të Shijakut.

Ilir Meta: ”Cfurqet do jenë të dielën nëse preket vota. Zgjedhje si të Shijakut dhe të Dibrës, nuk do të ketë më. Kjo histori ka marrë fund. Unë kam besim te shqiptarët. Të gjithë janë nisur drejt kutive të votimit, për të sjellë ndryshimin historik duke çuar Shqipërinë në rrugën e duhur. Nuk jam President i ambasadave, por jam Presidenti i Republikës së Shqipërisë dhe unë kam përgjegjësi për të gjithë Shqipërinë.

Unë i kam bërë thirrje sot ambasadorëve gjatë takimit që pata në Presidencë, të reagojnë tani. Është tepër vonë nëse reagojnë të hënë pasi të jenë prishur zgjedhjet dhe të kemi destabilizim. Unë nuk pres zgjedhje daneze, por zgjedhje si në Kosovë po. Nëse derdhet një pikë gjaku, përgjegjës do të jetë Edi Rama.”