Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka bërë thirrje sërish që shqiptarët të bashkohen për të votuar në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai shkruan se shqiptarët të bashkohen në një besëlidhje të re, si ajo e 2 marsit të vitit 1444 në Lezhë.
”Në përkujtim të Besëlidhjes së Lezhës, unifikimit më gjithëpërfshirës të të gjithë shqiptarëve përballë rrezikut të asimilimit dhe shkombëtarizimit, vepra e ndritur e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, frymëzon sot më shumë se kurrë!
Koha i thërret shqiptarët për t’u bashkuar në një Besëlidhje të re, për të ndalur shpopullimin, për të shenjtëruar votën dhe Kushtetutën, në referendumin historik të 25 prillit 2021”,shkruan Meta në Facebook.
Si sot një vit më parë, Presidenti Meta organizoi një manifestim popullor kundra qeverisë, e cila sipas tij po shkelte Kushtetutën duke tentuar që të kapte Gjykatën Kushtetuese.