Kreu i Shtetit ka reaguar ndaj konstatimit të ish-ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani, se Meta nuk arriti që të ulë në tryezë të gjitha palët e politikës shqiptare. Ky konstatim ka ‘përplasur’ Ilir Metën me Ylli Manjanin.
Teksa i ka mëshuar fort faktit se ka bërë gjithçka për të ulur palët në dialog, Meta ka përcjellë një mesazh mjaft të fortë ndaj Manjanit nga emisioni “Tempora”.
Ai i ka kërkuar që të mos përdoret për të dëmtuar reputacionin e Presidentit. Po kështu i kujtoi se ka qenë nxitësi kryesor i opozitës për të djegur mandatet.
“Presidenti Ilir Meta i ka ofruar çdo gjë Edi Ramës. Zotëria aty ka qenë një nga nxitësit kryesorë të opozitës nga Parlamenti. Pas disa muajsh u thoshte pse dolët nga Parlamenti, si dolët. Ilir Meta është shumë i qartë në punët e tij, opozita të zgjidhë vetë punën e saj. Deri në 24 korrik 2022, Ilir Meta është në atë zyrë dhe do ta bëjë detyrën e vet me përkushtim maksimal dhe është shumë i qartë në qëndrimin e vet.
Ka qenë i vetmi që ka bërë përpjekje për konsensus dhe ky konsensus është minuar në mënyrë të vazhdueshme. Çfarë interesi kam unë të sulmoj ambasadorët? Por nëse ca palaço diplomatë tallen me Kushtetutën e Shqipërisë, është detyra ime tu tregoj vendin atyre. Këtë Kushtetutë e kam bërë me ambasadorë, me Komisionin e Venecias, me 140 vota.
Nuk bëhet shteti ligjor nëse zbatimi i Kushtetutës bëhet në këtë mënyrë si tani. Ky është qëndrimi i Ilir Metës. Le të vijë çdo ambasador, çdo ekspert i huaj dhe ti tregojë Ilir Metës ku është shkelur Kushtetuta. Ai djali e di shumë mirë dhe të mos përdoret për të dëmtuar reputacionin e Ilir Metës. Ilir Meta e ka bërë Ministër Drejtësie, se nuk e bënte askush atë. E di shumë mirë si këta ndërkombëtarët vinin dhe thoshin e kemi Kushtetutën në anglisht dhe jo shqip. Kush dëshiron të bëjë opozitën ta bëjë. Ilir Meta nuk është as të bëjë opozitë dhe as pozitë. Çfarë do të bëjë Ilir Meta me 25 korrik 2020, është çështje tjetër”, përfundoi Meta.