Kronikë

Meta: KLGJ dhe Prokuroria të nisin hetimet për Dajtin

               Publikuar në : 12:45 - 11/02/19 marsela

Edhe presidenti Meta është prononcuar lidhur me vendimin e Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda për Dritan Dajtin, i cili vrau 4 efektivë police, të cilët shkuan për ta arrestuar në Durrës në gusht 2009. Ai u dënua me 25 vite burg, si rezultat i gjykimit të shkurtuar.

Kreu i shtetit tha se KLGJ dhe Prokuroria duhet të vihen në lëvizje, për të verifikuar dhe hetuar këtë çështje.

“Jam dakord me ambasadorin e BE në Tiranë, Luigi Soreca. KLGJ dhe Prokuroria të vihen në lëvizje, për të verifikuar dhe hetuar çështjen në fjalë”, deklaroi Meta.

Dje, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj foli për një “skandal të papranueshëm të përmasave të patolerueshme” të Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda. Paralajmëroi masa ndaj gjyqtarëve dhe tha se do t’i drejtohet Këshillit të Lartë Gjyqësor për vendimin.

Ministrja tha se vendimi është “tërësisht në kundërshtim me ligjin”, dhe për ta bërë më të fortë reagimin “i kërcënoi” me Vetingun që po u afron. Pak minuta pas saj, ishte ministri i Brendshëm, i cili ngriti gishtin ndaj gjykatësve. Ai zgjodhi shprehje si “atentat ndaj drejtësisë dhe fyerje për gjakun e dëshmorëve të Policisë”. Ministri u betua se “nuk mund dhe nuk do të ketë paqe në shpirtin e Policisë së Shtetit, por edhe atij si ministër i Brendshëm, derisa ky vendim jo vetëm të zhbëhet nga Gjykata e Lartë”.

 

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT