Politikë

“Meta është inatosur këto ditë me Lulin”/ Balla tregon pse po sulmohet Rama

               Publikuar në : 16:48 - 12/06/19 Enno

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka zhvilluar sot një takim me banorët e qytetit të Gramshit, nga ku deklaroi se zgjedhjet vendore të 30 qershorit do të mbahen, pavarësisht vendimit të presidentit Meta.

Gjatë fjalës së mbajtur, Balla ironizoi liderin demokrat, Lulzim Basha, për të cilin tha se “do të mbahet mend vetëm se flinte gjumë”, ndërsa shtoi se edhe Meta është inatosur këto ditë me të.

Ndër të tjera, numri dy i PS-së u shpreh se kryeministri Rama po akuzohet nga opozita jo parlamentare, pasi gëzon mbështetjen e të gjithë shqiptarëve.

Një kokërr gjumashi që edhe Ilir Meta, këto ditë është inatosur me të sepse tha “unë e bëra punën time, ai fle gjumë. Unë e anulova dekretin, ai fle gjumë.” Pavarësisht se Iliri bëri një vrimë në ujë se ai ç’dekret nuk ekziston në Kushtetutë dhe sigurisht në 30 Qershor do të bëhen zgjedhjet.

Edi Rama është sot politikani që gëzon mbështetjen më të madhe të të gjithë shqiptarëve dhe këtë e dinë fort mirë edhe Ilir Meta edhe Saliu. Arsyeja pse i gjithë sulmi politik bëhet kundër Kryeministrit, kundër Edi Ramës është pikërisht kjo mbështetje mbarëpopullore që Edi Rama ka në të gjithë Shqipërinë. Por të jeni të sigurt se Edi Rama do të vazhdojë të jetë Kryeministër i Shqipërisë edhe pas zgjedhjeve të vitit 2021.

Përpjekja e presidentit është antikushtetuese, është një akt politik aspak juridik dhe ne do t’i japim përgjigjen e merituar kujtdo shkelësi. Grupi Parlamentar i PS do të vijojë me procedurat për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta”, deklaroi Balla.

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT