Meta: Çdo kritikë e Doktorit pranohet në mënyrë të menjëhershme nga ana ime

Në prononcimin për emisionin “Kjo javë”, Presidenti Ilir Meta komentoi deklaratat e ish-kryeministrit Sali Berisha sa i takon ndryshimeve në Kodin Penal.

“Çdo kritikë e Doktorit është e mirëpritur dhe e pakontestuar nga ana ime, është e pranuar në mënyrë të menjëhershme”, theksoi Kreu i Shtetit.

Pjesë nga intervista:

Zoti Meta, një pyetje lidhur me ish-kryeministrin Berisha, për të cilin ju gjithmonë keni shprehur simpati dhe vlerësim. Është treguar i rezervuar zoti Berisha kur është pyetur për ndryshimet në Kodin Penal dhe për bashkëpunimin tuaj me mazhorancën, paçka se është shprehur kundër ndryshimeve në kod. Fillimisht cilat janë marrëdhëniet tuaja me Doktorin zoti Meta, dhe si e keni ndjekur reagimin e tij lidhur me këto ndryshime?

Presidenti Meta: Çdo kritikë e Doktorit është e mirëpritur dhe e pakontestuar nga ana ime, është e pranuar në mënyrë të menjëhershme.

Së dyti, unë në mbledhjen e dytë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, që zhvillova apo që thirra, përpara mbledhjes së Parlamentit, një nga pikat e rendit të ditës ishin dhe ndryshimet në Kodin Penal. Unë nuk i kam kërkuar opozitës që t’i mbështesë këto ndryshime për arsye, që të jem shumë i qetë dhe i ndershëm me ju, se nga ana procedurale kemi një problem.

Pavarësisht se ndryshimet në Kodin Penal kishin filluar shumë më përpara dhe këto nga ana procedurale ishin të pakontestueshme për shkak të ndryshimeve në pjesën e dhunës në familje, iniciativa e ndërmarrë në Kuvend për të shtuar këto ndryshimet e reja për çështjen e pandemisë apo të shëndetit publik, padyshim që sollën një reagim të fortë, të ashpër edhe për shkak të përmbajtjes së tyre.

Pra, ishin dënime shumë të ashpra deri në 15 vite, kishte një formulim do të thosha shumë të paqartë që mund të kthehej në një mundësi abuzimi me të drejtat e qytetarëve dhe prandaj dhe u kundërshtua mjaft fuqishëm.

Por, duhet të kemi parasysh që unë në pozicionin tim si Presidenti i Republikës më duhet të përmbush sa më mirë përgjegjësitë e mia.

Unë kam një përgjegjësi kushtetuese përsa i takon legjislacionit që prodhon Parlamenti, pra kam të drejtë ta kthej një herë, ose ta lë në heshtje, ose ta mbështes, ta dekretoj.

Në rastin aktual jemi në një situatë ku ndërmerret një iniciativë e tillë në Kuvend, e cila ka një bazë objektive, pra ka këtë boshllëk të Kodit Penal për të trajtuar një situatë të tillë të Shëndetit Publik, si kjo në të cilën ne ndodhemi.

Kërkohet bashkëpunim nga ana e qeverisë dhe nga ana e Parlamentit me Presidentin dhe Presidenti është para dy rrugëve: ose të thotë kur të mi sillni këtu unë do shprehem, dhe ata t’i sjellin siç i kishin dhe Presidenti të mbajë atë qëndrimin e tij, që shumë njerëz që janë kritik me qeverinë të lumturohen, etj.,por ndërkohë të japë edhe mundësinë që ata përsëri ta miratojnë, t’i bëjnë fakt të kryer dhe në këtë mënyrë të kemi një mundësi tashmë ligjore për të abuzuar apo për të shkelur të drejtat e qytetarëve shqiptarë në përgjithësi.

Unë zgjodha rrugën tjetër, përderisa u kërkua një bashkëpunim, përse të mos bashkëpunojmë në këtë situatë dhe të mos tregojmë mirëkuptim, studiova të gjitha qëndrimet e Avokatit të Popullit, të Komitetit të Helsinkit, të organizatave të tjera, iu referova përvojës më të mirë mendoj unë në Europë, që është ajo e Danimarkës, e theksoj këtë.

Mund t’iu them se për këtë çështje legjislacioni ynë i mbron qytetarët apo e trajton këtë çështje edhe më me kujdes sesa vetë Kodi Penal i Danimarkës.