Meta apelon qytetarët: Denonconi krimin zgjedhor, të bëhemi barrikadë

Presidenti i Republikës, Ilir Meta zhvilloi një konferencë për shtyp nga qyteti i Durrësit, nga ku apeloi edhe njëherë qytetarët që të denoncojnë krimin zgjedhor.

Meta u shpreh se nëpërmjet nismës së ndërmarrë prej tij dy ditë më parë, çdo qytetar mund dhe duhet të demaskojë çdo veprim që përbën shkelje të së drejtës themelore të votës.

Ndër të tjera, Kreu i Shteti u shpreh se rreziku i intimidimit të votuesit dhe shitblerjes së votës është prezent.

Ilir Meta: “I ftoj të gjithë qytetarët t’i bashkohen nismës ‘denonco krimin e zgjedhor, ku çdo qytetar mund dhe duhet të demaskojë çdo veprim që përbën shkelje të së drejtës themelore të votës. Krimi zgjedhor godet dhe dhunon vullnetin e zgjedhësit, përdhos Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, të drejtat, liritë dhe vlerat universale që mbrohen prej saj ku çdo e drejtë buron pikërisht nga vota e lirë dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Rreziku i intimidimit të votuesit, shitblerjes së votës është prezent.

Duhet të bëhemi barrikadë për këto veprime të papranueshme në një vend demokratik. Ndaj i kam hapur rrugë kësaj nisme për të realizuar një proces transparent dhe sipas standardeve europiane. Prej dy ditësh kemi vendosur në dispozicion të të gjithë qytetarëve një dritare për të denoncuar. Kjo dritare shfaqet në faqen e Presidentit të Republikës. I ftoj qytetarët të mos hezitojnë, të mos tremben, por të denoncojnë me kurajë çdo veprim të kundraligjshëm”.