Merr fund sekreti/Zbulohet vendi bujar që na dha vaksinat anti-Covid

Shumë është aluduar në media se kush ishte shteti bujar që na dha vaksinat anti-Covid. Në konferencën për media, Rama i mëshoi fort faktit se nuk ishte Greqia. Më tej mediat dhanë një tjetër emër. Bëhej fjalë për Austrinë.

Por duket se këto kanë qënë në kuadrin e thashethemeve, pasi një dokument që është publikuar sot, tregon një anë tjetër të medaljes. Siç duket, është Gjermania që zgjodhi ti jepte Shqipërisë 975 dozat e para, për të nisur procesin e vaksinimit me Pfizer/BioNtech.

Gjermania zgjodhi ti përgjigjej me PO, “lutjes” së qeverisë shqiptare.

Dje në orën 15:00, kryeministri Edi Rama dhe mjekët u paraqitën në stadiumin “Air Albania” për të marrë dozat e para të vaksinës.

Shqipëria ka siguruar 975 doza nga Gjermania, dhe të gjitha do të shkojnë për mjekët e spitaleve Covid. Kreu i qeverisë Edi Rama, nga konferenca e zhvilluar para nisjes së vaksinimit, u shpreh se dozat e para të vaksinës që kanë mbërritur në vendin tonë janë nga një vend i BE-së, por që nuk e bëri të ditur emrin.

“Jemi angazhuar intensivisht me kanale të tjera. Ia kemi dalë të kontaktojmë drejtpërdrejt në Nju Jork Pfizer. Njëkohësisht kemi hapur 4 kanale të tjera bilaterale në katër vende. Dhe vaksinimi sot është si rezultat i njërës prej vendeve të BE, që nuk jam i autorizuar t’ia them emrin. Nuk është Greqia. Procese ndërveprimi për vaksinën që janë të llojeve të ndryshme. Ka proces ku një vend X është i gatshëm që të japë një pjesë se nuk i përdor dot të gjitha menjëherë dhe ato t’i shesë, për fat të mirë në gjithë kanalet ku tregtohet vaksina Pfizer çmimi është i njëjtë për të gjithë. Është fakt që në një garë lypësish për vendin e tyre, unë jam pretendent për vendin e parë”, tha ndër të tjera Rama.