Editorial - Opinione

Melodia e Putinit, nuk është më “muzikë” për veshët e rusëve

               Publikuar në : 12:05 - 15/04/19 S.N

Nga Sam Greene & Graeme Robertson “The Moscow Times”

Nëse Vladimir Putin ka frikë nga diçka, ajo është se mos rusët harrojnë se si të vallëzojnë. Kjo ndoshta është një metaforë e habitshme, por mund të ndihmojë për të kuptuar më mirë, se përse ka rënë së fundmi popullariteti i tij. Sipas sondazheve të Qendrës Levada, miratimi i punës së Putinit si president ra në 64 për qind në janarin e këtij viti, dhe ka mbetur që atëherë në të njëjtin nivel.

Kjo është 25 për qind më e ulët se sa popullariteti më i lartë i Putinit (i regjistruar në qershor 2015), dhe vetëm 3 për qind mbi nivelin e tij të ulët (i regjistruar në nëntorin e viti 2013). Edhe më alarmant është vlerësimi i njerëzve mbi gjendjen e përgjithshme në vend: balanca e përgjigjeve ndaj pyetjes nëse vendi po shkon në drejtimin e duhur, u kthye negativisht në fillim të vitit 2019, herën e parë që nga aneksimi i Krimesë.

Ne nuk e dimë saktësisht, se çfarë e shkaktoi një ndryshim të tillë. Tek e fundit, po flasim për ndjenjat dhe ankthet e dhjetëra miliona njerëzve, dhe kjo mund të jetë e vështirë të përcaktohet. Në fakt, vetë njerëzit shpesh përpiqen ta kuptojnë pse ndryshojnë gjendja e tyre.

Por nëse largohemi nga aktualja, mund të përshkruajmë proceset më të thella që ndodhin. Kjo është ajo që jemi përpjekur të bëjmë në librin “Putin përkundrejt rusëve” i botuar së fundmi në Britaninë e Madhe. Studimi ynë – që përfshin disa sondazhe, intervista të thelluara dhe analiza të të dhënave nga rrjetet sociale – ka marrë 5 vjet.

Ne filluam ta njohim Putinin nga mënyra si e njohin atë qytetarët e tij, duke u përpjekur ta shpjegojmë fenomenin e jetëgjatësisë së tij në politikë, jo nëpërmjet sjelljes së vetë Putinit, por përmes sjelljes së shoqërisë ruse në gjithë diversitetin e saj. Një nga përfundimet kryesore të librit, është se popullariteti i Putinit bazohet jo aq në dashurinë e rusëve për vetë njeriun, se sa në marrëdhëniet e rusëve me njëri-tjetrin.

Shumica e analizave mbi politikën dhe shoqërinë ruse, tentojnë ta vënë theksin tek politika, në kurriz të shoqërisë. Në fakt, dhe për një sërë arsyesh, faktorët socialë luajnë një rol kritik në përcaktimin e përmbajtjes dhe dinamikës së jetës politike ruse. Për të shpjeguar një nga këto arsye, le t’i kthehemi metaforës së pistës së vallëzimit.

Kur kërcejmë, mund të biem në dashuri me muzikantin, këngën e të cilit ne po dëgjojmë, jo pse jemi personalisht afër tij, por sepse muzika e tij na lejon të ndiejmë një afërsi emocionuese me të tjerët – me partnerin tone, dhe me të gjithë kërcimtarët e tjerë rreth nesh.

Më vonë, kur dëgjojmë të njëjtën melodi, e kujtojmë pa vetëdije atë ndjenjë të përbashkët, atë lidhje të paharrueshme – ndoshta të përkohshme, por të fuqishme dhe emocionale. Ngjashëm, Putini është bërë i dashur për miliona ruse, jo sepse ka krijuar një lidhje personale me ta, por sepse “muzika” që ai ka luajtur për vite me radhë, i lejoi ata të ndiheshin pjesë e diçkaje të madhe, të rëndësishme, emocionuese, ndoshta edhe pak të rrezikshme.

Në kulmin e ngjarjeve në Krime dhe Donbass, rusët nisën jo vetëm të shohin më shumë lajme në televizion, por filluan t’i diskutojnë ato më shpesh dhe më në detaje me njëri-tjetrin. Për shumë njerëz, politika u bë diçka personale, dhe në shumë aspekte nga diçka e neveritshme, në një gjë thuajse të shenjtë. Jeta politike u mbush me ndjenjat e lidhjes, unitetin me të tjerët dhe emocione të këndshme si krenaria, shpresa dhe besimi.

Por çfarë ka ndryshuar? “Muzika” nuk është ndalur, dhe njerëzit kanë arritur të shmangin krizën ekonomike 4 vitet e fundit. Natyrisht, edhe kënga më e mire, e ka një fund, dhe lodhja me “rapsodinë e Krimesë”, mund të ketë bërë që disa njerëz të rishikojnë qëndrimet e tyre ndaj Putinit dhe gjendjes së vendit.

Por nëse shkaku i rritjes së popullaritetit të Putinit, ishte një ndjenjë uniteti, atëherë shkaku i rënies së tij relative, mund të gjendet në zbehjen e kësaj ndjenje. Hipoteza jonë kryesore është se në një moment, qytetarët rusë panë rreth e rrotull, dhe filluan të vërejnë se gjithçka po del jashtë kontrollit.

Padyshim, reforma e pensioneve luajti një rol kryesor, ashtu siç bënë edhe premtimet boshe parazgjedhore rreth fundit të krizës ekonomike, dhe për një rritje të prosperitetit për njerëzit e zakonshëm. Kësisoj, harmonia u shndërrua në mospajtim. Pushuan ritmet e përbashkëta. Ndjenja e unitetit, u zëvendësua nga frika e vetmisë.

Dhe “muzikanti” i preferuar, u bë papritmas i tepërt. Nëse kemi të drejtë në këtë analizë, atëherë shpëtimi i Putinit nuk është në dorën e tij. Duke humbur interesin për “vallëzimin”, rusët po i kthehen kujdesit të tyre për veten. Dhe në këtë drejtim kë shumë gjëra për t’u bërë, pasi kriza nuk ka kursyer askënd.

Nëse rimëkëmbet ekonomia, vlerësimet mbi Putinin mund të stabilizohen, ose ndoshta edhe të rriten paksa. Por kjo do të nënkuptonte një kthim në statuskuonë e viteve 2012-2013, kur njerëzit preferonin Putinin në situatën aktuale, por nuk e donin atë pa kushte.

Sigurisht, shumë njerëz mund të jenë mirënjohës ndaj tij për Krimenë, dhe për gëzimin e “ngritjes së Rusisë nga gjunjëzimi kur ndodhej”, por madje edhe mbështetësit më të zjarrtë, nuk mund të qëndrojnë përgjithmonë në kujtimet e lavdisë së mëparshme. Njerëzit duan ndjesi të reja. Vetëm qytetarët rusë, mund të zgjedhin “muzikën” që do t’i rikthejë ata në pistën e vallëzimit – dhe nëse gjithçka shkon mire – duke gjetur në sytë e njëri-tjetrit një arsye të re për ta dashur “muzikantin”. Cilido qoftë ai. / Përktheu për Tirana Today, Alket Goce

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT