Mediat sociale si një armë e përparuar e Perëndimit

burimi: https://www.dailysabah.com/opinion/op-ed/social-media-is-an-advanced-weapon-for-the-west

Nga Basel Haj Jasem “Daily Sabah”

Aktualisht jemi dëshmitarë të një përshkallëzimi të rrezikshëm të tensioneve në kufirin Ukrainë-Rusi dhe rreth Gadishullit të Krimesë, gjë që tregon se periudha e konfliktit të ngrirë ka kaluar shpejt dhe se po rikthehen konfrontimet gjithnjë e më të forta.

Në rajonin që ishte dikur një trampolinë për ndikimin sovjetik në Lindjen e Mesme dhe Afrikë, po ziejnë kriza të ndryshme, të cilat shoqërohen me një hartë të re gjeopolitike dhe me një botë të re dhe me aleanca dhe lojtarë të rinj.

Por kohët e fundit, përplasja më e nxehtë ka qenë midis Kievit dhe Moskës. Afrimi i ish-republikës sovjetike me Perëndimin, dhe përpjekja e saj për t’iu bashkuar NATO-se kanë zemëruar shumë Kremlinin, që së fundmi rreshtoi dhjetëra mijëra trupa ushtarake dhe armë në kufirin e tij me Ukrainën.

Përshkallëzimi verbal dhe lufta diplomatike ka rifilluar midis Moskës, Uashingtonit dhe disa vendeve evropiane, sidomos që kur Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov njoftoi dëbimin e 5 diplomatëve polakë në kundërpërgjigje të dëbimit nga Varshava të diplomatëve rusë atje.

Gjithashtu, Lavrov njoftoi vendimin e Moskës për të dëbuar 10 diplomatë amerikanë nga Rusia “si një përgjigje simetrike” ndaj veprimeve armiqësore të palës amerikane kundër një numri punonjësish të ambasadës Ruse në Uashington dhe Konsullatës së Përgjithshme Ruse në Nju Jork.

Bllokimet e YouTube

Ndërkohë, vlen të përmendet se platforma YouTube e kompanisë Google, që kishte bllokuar më herët kanalin “Russia Today” në gjuhën arabe (me mbi 5.5 milion abonentë), e hoqi bllokimin pasi platforma konfirmoi se ai ishte një gabim i paqëllimtë, teksa shtoi se do të përpiqeshin që të kuptonin atë që kishte ndodhur në mënyrë që një ngjarje e tillë të parandalohet në të ardhmen.

Në fakt, kjo gjë ndodhi sërish. YouTube ka bllokuar 3 kanale televizive ukrainase që kanë lidhje me një aleat të presidentit rus Vladimir Putin. Lëvizje të tilla na kujtojnë atë që ndodhi gjatë zgjedhjeve të fundit presidenciale në SHBA, kur u bllokuan llogaritë e ish-presidentit amerikan Donald Trump në media socialet.

Në këtë pikë, rusët mund të mësojnë disa leksione nga këto incidente. Kjo ishte hera e parë që ndodhi një ndërhyrje kaq e qartë dhe e hapur në shpërndarjen e informacionit nga ana e kompanive të teknologjisë. Duhet të theksohet se ndalimi që bën SHBA në fushën e komunikimin dhe transportit nuk është i pari.

Gjatë luftës në Irak, Pentagoni shtrembëroi të dhënat GPS të marra nga forcat irakiane. Në vitin 2012, një njësi speciale e Agjencisë së Sigurisë Kombëtare (NSA) e la të gjithë Sirinë pa internet. Në vitin2015, skenari me të dhënat e GPS u përsërit këtë herë në Siri.

Gjithsesi, të gjitha mbylljet e mëparshme ishin kryer nga agjencitë qeveritare të SHBA-së, dhe jo nga vetë rrjetet sociale. Në aspektin ligjor, bllokime të tilla bazohen në vendimet e gjykatave. Sidoqoftë, themeluesit e platformave të rrjeteve sociale, u sollën në një mënyrë të politizuar dhe të paligjshme.

Dhe kjo i dha mundësinë shumë analistëve për të folur në lidhje me rrezikun që paraqet censura e mediave sociale dhe roli i tyre në botë. Standardet, mekanizmat dhe kufizimet e fuqisë së mediave sociale po diskutohen gjerësisht nga ekspertët, pasi vetë platformat kanë potencialin të përdoren si një mjet për të nxitur grindje sektare dhe kombëtare, apo për të promovuar ideologji transnacionale.

Ndikimi në rritje i mediave të reja mbi ngjarjet në rajon dhe botë, po e përkeqëson çështjen se kush i kontrollon këto faqe, dhe sa ndikim kanë ata si lojtarë politikë vendas dhe ndërkombëtarë. Nëse udhëheqësit e SHBA-së vendosin që të bllokojnë kundërshtarët e tyre brenda vendit, asgjë nuk do t’i ndalë ata. Nëse është e nevojshme, kjo është e vlefshme edhe për kundërshtarët e tyre jashtë vendit.

Mobilizimi dhe ndikimi

Pranvera Arabe ishte vendi ku u testua dhe u pa fuqia e vërtetë qe kanë sot mediat sociale. Miliona njerëz u dyndën në rrugë, pasi iu bë thirrje në rrjetet e mediave sociale. Rusia dhe Kina e kuptuan që në fillim seriozitetin e situatës, ndaj përveshën mëngët për të krijuar rrjetet e tyre sociale për komunitetet e tyre.

Madje,Kina hodhi një hap më tej, duke krijuar aplikacione të tilla si i famshmi “Tik Tok”, i cili shkaktoi një sensacion kur Donald Trump u përpoq ta bllokonte aplikimin për të parandaluar përhapjen e ndikimit kinez në SHBA.

Në të njëjtin kontekst, pas përhapjes globale të faqeve të rrjeteve sociale, situata ka ndryshuar. Dikur një element qendror për komunikimin dhe ndërlidhjen mes njerëzve, platformat e mediave sociale janë shndërruar në një armë e ligjshme, dhe e aftë të shkaktojë konflikte dhe të përshkallëzojë tensionet në të gjithë botën.

Ato kanë dëshmuar të jenë një mjet i fuqishëm në luftën psikologjike midis vendeve. Më keq akoma, nëse Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të vazhdojë trendin dhe të bllokojnë kundërshtarët e tyre në të gjithë botën, ky do të ishte drejtpërdrejtë një kërcënim për sovranitetin e çdo vendi. Në aspektin global, kjo i bën qeveritë të prekshme ndaj rrezikut të madh, dhe popullatat të prekshme nga manipulimet e jashtme.

Përshtatur nga Tirana Today