E mërkurë, 8 Dhjetor, 2021
-0.5 C
Tirana

Me tensionet SHBA-Kinë në rritje, Evropa ka nevojë për një strategji globale

Nga Joshka Fischer, “Project Syndicate”

Zgjedhja e Donald Trumpit si president i Shteteve të Bashkuara, mund të ketë nxitur fundin e “Shekullit Amerikan”, dhe të rendit ndërkombëtar të pas Luftës së Dytë Botërore të udhëhequr nga SHBA-ja. Në fakt, qendra politike dhe ekonomike e botës, ishte zhvendosur drejt Azisë Lindore që para vitit 2016, dhe ideja e ngritjes së Kinës në skenën globale në kuadër të “Shekullit të Paqësorit”, nuk është aspak e re.

Por veprimet e Trump, së bashku me ato të homologut të tij kinez, Xi Jinping, e kanë sjellë në qendër të skenës globale, rivalitetin gjithnjë e më të mprehtë mes dy superfuqive. Mjerisht, Evropa nuk ka prodhuar ende një përgjigje koherente. Mosmarrëveshja tregtare SHBA-Kinë, ka potencialin për të shkaktuar një rënie ekonomike globale.

Por edhe ky konflikt, është vetëm njëri nga aspektet e një lufte shumë më të madhe për pushtet, duke përfshirë edhe sektorin e teknologjisë, për të përcaktuar nëse ylli i ri në rritje (Kina), apo operatori aktual (Amerika), do të luajë në të ardhmen rolin kryesor global.

Në pjesën më të madhe të periudhës, qëkur Kina nisi procesin e modernizimit nën drejtimin e Ten Hsiao Pinit në fund të viteve 1970, politika e saj ishte të mos sfidonte rendin ekzistues gjeopolitik dhe strategjik, dhe të shmangte me çdo kusht një përplasje me SHBA-në.

Por fjalimi i presidentit Xi Jingping, në Kongresin e XIX Kombëtar të Partisë Komuniste në tetorin e vitit 2017, dhe disa nisma aktuale kineze që synojnë të sfidojnë dominimin amerikan, tregojnë se Kina nuk do që ta fshehë më forcën e saj, dhe do të kërkojë kohën e saj, siç e kishte përcaktuar dikur Teni.

Ambicia e re e Kinës, është e dukshme në fortifikimet ushtarak në shkëmbinjtë dhe ishujt e vegjël në Detin e Kinës Jugore, si dhe me strategjinë “Made in China 2025”, që synon ta shndërrojë brenda nje dekade vendin, në një lider botëror në industritë kryesore të së ardhmes. Dhe me Iniciativën e saj të Brezit dhe Rrugës (BRI), Kina dëshiron të përdorë investimet në infrastrukturën e tregtisë dhe transportit, për të vendosur dominimin e vet gjeopolitik dhe tregtar në Euroazi, Evropë, Lindjen e Mesme dhe Afrikë.

Përballë kësaj sfide gjithnjë e më të dukshme ndaj udhëheqjes së saj, SHBA-ja e ka ndryshuar strategjinë e saj, dhe ka adoptuar një qëndrim më konfrontues ndaj Kinës. Ndonëse Trump po e udhëheq këtë ndryshim, zemërimi, frika dhe zhgënjimi amerikan ndaj Kinës shtrihet shumë më përtej Shtëpisë së Bardhë, në Partinë Republikane, dhe më thellë në radhët e Partisë Demokratike.

Si fillim, SHBA-ja po merr një qasje më të ashpër mbi tregtinë. Në të shkuarën, tregu amerikan ishte përgjithësisht i hapur ndaj eksporteve kineze – pa një qasje të tillë, rritja e shpejtë ekonomike e Kinës nuk do të kishte qenë kurrë e mundur.

Por administrata Trump, dëshiron t’i japë fund kësaj hapje, dhe ta rikthejë tregtinë dypalëshe mes vendeve, nga një mjet në një armë. Ndërkohë SHBA-ja, po e ashpërson qëndrimin e saj ndaj BRI, dhe ka kritikuar vendimin e fundit të Italisë për t’u bërë pjesë e saj.

Teknologjia, përbën një shqetësim tjetër të madh për Uashingtonin. SHBA-ja dhe Kina, janë të angazhuara në një garë të egër në fushën e inteligjencës artificiale, dhe vazhdojnë të përplasen lidhur me kompaninë kineze të telekomunikacioneve Huauei, një nga kompanitë kryesore globale që ka vendi.

Ardhja e këtij rendi global të shekullit XXI-të, nuk është diçka e mirë për Europën, siç e bëjnë të qartë edhe këto narrativa fillestare. Por, si zakonisht, kur ballafaqohet me një sfidë të madhe globale, Evropa është kryesisht e zënë me problemet e saj të brendshme, përfshirë Brexit.

Por evropianët, nuk kanë luksin të qëndrojnë mënjanë. Evropa, do të jetë një nga viktimat e para nëse mosmarrëveshja aktuale midis Kinës dhe SHBA-së, do të shndërrohet në një konflikt të plotë tregtar. Nëse do të ndodhë kjo, të dyja superfuqitë do të kërkojnë që Evropa të zgjedhë njërin kamp – pikërisht lloji i zgjedhjes që ajo nuk dëshiron të bëjë, sepse si SHBA-ja ashtu edhe Kina, janë dy tregjet e saj kryesore të eksportit.

Ngjashëm, nëse vendos të dëbojë Huauein nga tregjet e saj kombëtare, Evropa ka shumë të ngjarë të përballet me hakmarrjen e Pekinit. Evropa, duhet të krijojë pikëpamjen e vet strategjike për rendin e ri global. Dhe do të duhet të vendosë “gurë” të mjaftueshëm peshe në “peshoret gjeopolitike”, për të vazhduar tregtinë me SHBA-në dhe Kinën sipas kushteve të saj.

Kjo do të kërkojë nga Evropa, zhvillimin e një politike industriale të bazuar në interesat dhe vlerat evropiane. Përveç kësaj, udhëheqësit e Evropës duhet të pranojnë, që Kina po ndërton shpejt një sistem politik alternativ, në të cilin një parti e vetme i kontrollon masat në mënyrë digjitale. Cilado qoftë pikëpamja e Trump, kjo nuk do të ndodhë në SHBA.

Balanca gjeopolitike globale, po ndryshon me shpejtësi, dhe Evropa duhet t’i përshtatet realiteteve të reja. Në vend se të shohin vetëm punët e tyre, udhëheqësit evropianë kanë nevojë për një strategji të besueshme ndaj dy superfuqive – dhe sidomos ndaj Kinës.

Shënim: Joschka Fischer, ka qenë Ministër i Jashtëm i Gjermanisë, dhe zëvendës/kancelar  gjatë viteve 1998-2005./ Përktheu për Tirana Today, Alket Goce

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Italiani gjendet i pajetë brenda hotelit në Kamëz, dyshimet e para

Një shtetas italian është gjetur pa shenja jete, në një hotel në Kamëz. Nga kqyrja paraprake nuk janë konstatuar shenja dhune ndaj shtetasit italian...

Kursi i këmbimit, shikoni me sa këmbehet euro, dollari dhe paundi britanik

Në kursin e këmbimit valutor, sot vihet re rritje e dollarit, euros dhe paundit britanik. Ndërkohë franga zvicerane ka shënuar rënie. Më poshtë do të...

Mbërrin i ftohti polar, temperaturat ulen deri në -4 gradë

Vendi ynë sot do të mbizotërohet nga alternime kthjellimesh dhe vranësira të cilat do të sjellin mot pa reshje, por të ftohtë. Në mbrëmje...

FMN: Shqipëria me varfërinë më të madhe në rajon

Pandemia dhe tërmeti rritën varfërinë në Shqipëri, ndërsa ajo vijon të jetë më e larta në rajon. Në Shqipëri, në vitin 2020, që përkon...

“Njeriu njihet kur ceket interesi personal”, Basha flet për Berishën

“E vërteta është që kam patur një bashkëpunim shumë të ngushtë. Ne kemi patur një marrëdhënie shumë të ngushtë me njëri-tjetrin gjatë kohës që...