Presidenti i Haitit Jovenel Moïse iu lut i dëshpëruar për ndihmë për 10 minuta një komisari dhe një oficeri policie që të mobilizonin forcat ligjzbatuese dhe t’i shpëtonin jetën, përpara se të vritej në shtëpinë e tij.
Presidenti 53-vjeçar u ekzekutua me armë zjarri orët e para të 7 Korrikut. Persona të armatosur bastisën shtëpinë e tij në kodrat mbi Port-au-Prince të Haitit, duke e lënë të vdekur, shkruan Daily Mail.
Pothuajse 2 javë nga vdekja e tij, hetuesit po përpiqen të përcaktojnë sesi një grup mercenarësh kolumbianë, përgjegjës për vrasjen e presidentit, ishin në gjendje të kalonin tre patrulla policie dhe agjentët e sigurisë, për të arritur deri tek shtëpia e Moïse, që është një rezidencë e rrethuar.
Tre persona, identiteti i të cilëve nuk është bërë publik, të cilët kishin marrë telefonata nga shtëpia e Moïse përpara se të vritej, për Miami Herald treguan se ai iu ishte lutur policisë që të mobilizonte njerëz. Telefonata e parë e tij u bë në orën 01:34.
“Po qëllojnë pranë shtëpisë, mobilizoni njerëzit”, i tha presidenti një komisari policie. Kur askush nuk shkoi, ai mori një oficer të Policisë Kombëtare duke e pyetur se ku ishin: “Ku jeni? Kam nevojë për ndihmën tuaj tani. Më rrezikohet jeta. Hajdeni shpejt, hajdeni të më shpëtoni jetën”, i tha Moïse oficerit të policisë.
Ky i fundit tha se kishte dëgjuar të shtëna arme përpara se të mbyllte telefonatat. Ai nisi menjëherë drejt shtëpisë së presidentit 3 makina. Edhe komisari i policisë i cili mori telefonatën e parë nga Moïse tha se ai kishte bërë 4 telefonata përgjatë një harku kohor prej 14 minutash, ndërkohë që ishte nisur drejt shtëpisë së presidentit.
Komisari tregoi se menjëherë sapo kishte mbyllur telefonatën me presidentin kishte marrë Dimitri Herard, kreun e ekipit të sigurisë së presidentit. Herard i tha se po niste ndihmë. Komisari tha se kishte telefonuar edhe supervizorin e skuadrës së sigurisë, 4 minuta pas telefonatës së parë të Moïse, por nuk iu ishte përgjigjur njeri.
Oficeri tha se kishte parë një grup personash të armatosur deri në dhëmbë, të cilët janë identifikuar tashmë si kolumbianë, të veshur me bluza të bardha të cilët bërtitën: Operacion i DEA-s, zmbrapsuni! Sipas oficerit të policisë, grupi avancoi në drejtim të tyre dhe Herard i tha oficerëve që të zmbrapseshin. Vetëm pasi kolumbianët u larguan, një oficer policie ishte në gjendje që të futej në shtëpinë e presidentit, ku e gjeti të vrarë në dhomën e gjumit.