Tashmë është hedhur dritë mbi dëshminë e policit, që vrau kolegun e tij. Efektivi i policisë Ludjan Zaimi, 25-vjeç, qëlloi për vdekje me armën e shërbimit kolegun e tij, Çaush Saliasi, 55-vjeç, të dy me detyrë oficerë të Patrullës së Përgjithshme. 25-vjeçari ka deklaruar se me viktimën ka pasur përplasje herë pas here. Ai thotë se është penduar për aktin e rëndë që ka kryer.
“Po bënim instruktazhin në momentin kur ndodhi ngjarja. Çaushi vijoi me përsëritjen e fjalëve dhe veprimeve fyese ndaj meje.
Më shau nga familja, dhe ofendime te tjera. Nuk durova dhe e qëllova. Jam përplasur edhe më herët me të, edhe në kohën kur kemi qenë në krye të detyrës, pasi me ofendonte shpesh.
Konsumonte alkool dhe shfaqte sjellje denigruese ndaj meje, dhe e kam duruar gjatë gjithë kohës. Jam penduar për veprimin që kam bërë, ishte moment dobësie dhe mungese të vetëpërmbajtjes nga ana ime”, ka thëne 25-vjeçari.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme, brenda komisariatit nr 3 në Tiranë, ku Zaimi ka shtëna 6 herë ndaj Çaush Saliasit, 3 prej plumbave e kanë kapur në trup dhe i kanë shkaktuar vdekjen.