E diel, 13 Qershor, 2021
27.5 C
Tirana

Me sa duket, Reforma në Drejtësi është e para për amerikanët

Nga: Ervis Iljazaj

Ashtu sikurse pritej, zv/ndihmëssekretari i Shtetit amerikan, Palmer, nuk kishte një formulë zgjidhjeje për situatën politike në Shqipëri. Madje, ajo që u kuptua nga deklarata e tij publike, vizita e tij në Shqipëri nuk kishte si synim zgjidhjen e kësaj krize.

Sigurisht, ajo nuk mund të anashkalohej, prandaj edhe takimet me drejtuesit e opozitës do të zhvilloheshin. Mirëpo u kuptua qartë që Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi nuk dolën fort të kënaqur dhe optimistë për betejën e tyre që po zhvillohej dhe kjo u duk qartë si nga deklarata e Palmer, por edhe nga vetë mimikat e dy liderëve të opozitës pas atij takimi.

Fjalia që është përsëritur gjatë gjithë kësaj kohe opozitës, “Qeveria është legjitime”, u theksua edhe nga diplomati i lartë i Shteteve të Bashkuara. Në këtë kuptim, Lulzim Basha pas atij takimi të jepte përshtypjen e një politikani të vetmuar në kauzën e tij. Dhe pas kësaj deklarate, beteja e tij do të jetë edhe më e vështirë për t’i bindur ata dhe shoqërinë shqiptare, por gjithsesi jo e pamundur.

Opozita shqiptare ka një problem që duhet ta zgjidhë në mënyrë urgjente me ndërkombëtarët, por sidomos me amerikanët. Dhe ajo është Reforma në Drejtësi. Me të gjitha gjasat, projekti amerikan për Reformën në Drejtësi është mbi gjithçka, është prioriteti i tyre në Shqipëri, gjë të cilën nuk kanë reshtur asnjëherë duke e përmendur. Në këtë kuptim, marrëdhëniet e opozitës me ta nuk do të jenë asnjëherë ashtu siç duhet nëse kjo e fundit nuk ndryshon totalisht diskur dhe qasje ndaj Reformës në Drejtësi.

Sepse, gjatë vizitës së tij në Tiranë, Palmer nuk dukej aspak i shqetësuar për klimën e tensionuar që po kalon politika shqiptare, por theksi i tij ishte qartësisht mbi Reformën në Drejtësi dhe politikën në Ballkan, sidomos marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës dhe roli që Shqipëria duhet të luajë në këtë raport.

Kauza e opozitës është e drejtë, është e moralshme, por që të fitojë ajo nuk mjafton vetëm aksioni politik i brendshëm, por pa dyshim dhe mbështetja e jashtme, që është e domosdoshme.

Në këtë drejtim, opozita shqiptare ka një punë të vështirë përpara për të bindur aleatët e Shqipërisë se kauza e saj dhe aksioni i saj politik nuk e dëmton Reformën në Drejtësi, që me sa duket është kusht thelbësor për amerikanët. Por, përkundrazi, kërkesa e saj për qeverinë tranzitore nuk bëhet vetëm për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme, por sidomos për të lejuar zbatimin e Reformës në Drejtësi pa ndikimin politik të një qeverie, e cila kushdo që do të ishte, do të përpiqej të ndikonte tek ajo.

Prandaj, qasja që duhet të ketë opozita shqiptare ndaj saj, duhet të jetë një qasje totalisht e kundërt nga ajo e deritanishmja, duke krijuar idenë te ndërkombëtarët se mazhoranca e do Reformën në Drejtësi dhe opozita jo. Edhe për faktin se ky është një perceptim absurd. Është e paimagjinueshme që një forcë politike, e cila ka tashmë gjashtë vite në pushtet, të kërkojë një drejtësi të pavarur dhe një opozitë që ka po gjashtë vite që as nuk firmos dhe as nuk vulos në letrat e shtetit shqiptar, të ketë frikë nga ajo.

Mirëpo më sa duket, Edi Rama, edhe për faj të opozitës, i ka bindur ndërkombëtarët se opozita shqiptare nuk e do Reformën në Drejtësi. Në këtë pikë, kjo është një lëvizje strategjike që po e mban ende në pushtet.

Për të gjitha këto arsye, rindërtimi i marrëdhënieve të opozitës me ndërkombëtarët dhe mbështetja e nevojshme prej tyre për kauzën e saj, për të cilën ka djegur mandatet parlamentare, fillon me patjetër nga qasja ndryshe që duhet të ketë ajo në raport me Reformën në Drejtësi. Një qasje, e cila të tregojë se opozita e do vërtet këtë reformë, por që me një qeveri politike dhe tentativat e saj për të ndikuar tek ajo, nuk do të jetë asnjëherë e pavarur. Prandaj, qeveria tranzitore dhe jo politike, do të mundësojë zbatimin e saj pa ndikimin e një pale apo një pale tjetër.

Për sa i përket legjitimitetit të qeverisë që të gjithë ndërkombëtarët e shprehin, askush të mos presë që ndonjë prej tyre do të deklarojë të kundërtën. Sepse, për nga natyra e diplomacisë ajo është procedurale dhe këtu nuk bëhet fjalë që kjo qeveri ligjërisht është legjitime apo jo, sepse vendimi i KQZ-së që i certifikoi zgjedhjet e 25 qershorit nuk kthehet më mbrapsht. Beteja e opozitës është për thelbin e atyre zgjedhjeve. Demokracia është procedurë, por është edhe substancë. Dhe thelbi i zgjedhjeve të 25 qershorit është se tanimë ka dyshime të arsyeshme për diskutimin e atij rezultati. Dyshime të cilat mund të zgjidhen vetëm politikisht, duke qenë se në këtë moment sistemi gjyqësor shqiptar është i pabesueshëm. /Gazeta Liberale

 

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Euro 2020/ Formacionet zyrtare, Angli-Kroaci gjithçka gati

Ndeshja e parë e ditës së sotme ajo mes Anglisë dhe Kroacisë nis në orën 15:00 dhe kombëtaret kanë publikuar dhe formacionet zyrtare.  

PD/ Voton i fundit nga kandidatët Agron Shehaj, ja fjala e tij për median

I fundit në rradhë nga kandidatët për kreun e Partisë Demokratike që votuan sot ishte Agron Shehaj. Në fjalën e tij pas hedhjes së...

Izrael/ Betohet sot qeveria e re, Netanyahu ‘zbret’ pas 12 vitesh nga pushteti

Në Izrael pritet të betohet sot një qeveri të re e cila do ta dërgojë Kryeministrin Benjamin Netanyahu në opozitë pas një 12 vjeçari...

Rritja e vdekshmërisë foshnjore, ogur zi

Blerina Hoxha/ Monitor Përpjekjet e tre dekadave në uljen e vdekshmërisë foshnjore u përmbysën vitet fundit, kur numri fataliteteve nën 1 vjeç arriti në vitin...

Vdekja e 44 vjeçarit në Velipojë, dhjetra pushues nga Kosova në protestë

Mungesa e mjekëve dhe e vrojtuesve në plazhe ka nxjerrë në protestë dhjetra pushues nga Kosova. Protesta ka ardhur 24 orë pasi në plazhin...