”Me ju përpara do të ndryshohet”/ Socialisti deklaron votën për Bashën

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka vizituar familjen Bardhi në fshatin Mënik të Tiranës, ku ka dëgjuar nga afër problemet që i shqetësojnë.

Kryefamiljari Islam Bardhi, ka treguar se ishte socialist i zhgënjyer -pasi sipas tij- nuk ka marrë asnjë ndihmë nga qeveria.

Në fjalën e tij para Bashës, ai ka bërë me dije se në 25 prill do të votojë djathtas.

“As ndihmë për bujqësi, as kovid, as naftë, asgjë. Po edhe këto familjet e shkretë që ua shembi tërmeti, ju dhanë një letër i bënë vet dhe në fund fare i kanë proceduar për gjyq. Edhe kjo është bërë. Shpresojmë tani që me ju përpara e me këto djemtë e ri ishalla do të ndryshohet. Ndryshimi do të vijë me votë, kështu që vota ka shumë rëndësi. Ju e dini. Atje ku kam të gjithë unë u kam thënë, dashamir u kam thënë edhe pse kemi qenë komunistë, kemi qenë socialistë, harrojeni këtë punë se boll na torturoi. Ne do ta provojmё pas datёs 25” – u shpreh Islam Bardhi.

Duke e falënderuar për mbështetjen që po i jep ndryshimit, Basha tha se janë shumë socialist që publikisht po e deklarojnë votën e tyre për ndryshim.