”Më helmoi delet”/ Zbardhet dëshmia e 69-vjeçarit që plagosi fqinjin në Lezhë

Zbardhet dëshmia e 69-vjeçarit, Gjergj Gjini i cili plagosi me 2 plumba në këmbë ditën e sotme në fshatin Balldre të Lezhës, fqinjin e tij, 43-vjeçarin Hilë Gjini, teksa ky i fundit po dërgonte fëmijët në shkollë me automjetin tip “Benz”.

Autori i plagosjes, mësohet të ketë thënë në polici se me 43-vjeçarin e plagosur konfliktet i kanë nisur që në vitin 2004, pasi sipas tij ai i kishte helmuar delet.

“Kishim konflik që në 2004 pasi ai më helmoi delet”, ka thënë autori mes të tjerash.

Që prej asaj kohe, kanë patur konflikte edhe për çështje pronësie dhe sipas tij edhe pak dite më parë kanë debatuar. Ndërkohë, të dy familjet ishin me origjinë nga Kashnjeti dhe ishin zhvendosur prej vitesh me banim afër njëri tjetrit në Balldre.

Nga të shtënat, 43-vjeçari ka marrë dy plumba në këmbë, ndërsa fëmijët pësuan traumë por fatmirësisht nuk u lënduan.

Hilë Gjini mbeti në makinë për të paktën 30 minuta deri në mbërritjen e ambulancës që e dërgoi në Spitalin rajonal, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Autori u largua me shpejtësi nga vendngjarja, ndërsa u vu në pranga rreth 2 orë më pas në rrethinat e fshatit Balldre nga Policia e Lezhës, falë edhe ndihmës së banorëve të zonës.