“Më bënë nder me pritjen fisnike”/ Behgjet Pacolli viziton “Qendrën e Solidaritetit”

Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli ka zhvilluar ditën e sotme një vizitë në Qendrën e Solidaritetit, të fondacionit “Fundjavë Ndryshe”.

Përmes një postimi në Facebook, Pacolli thotë se iu bë një pritje fisnike, teksa shprehet se u impresionua nga idetë dhe kreativiteti i themeluesit të fondacionit, Arbër Hajdari.

“Sot isha në Qendrën humanitare “Fundjavë ndryshe” që drejtohet nga i riu, Arbër Hajdari për të koordinuar aktivitetet e përbashkëta me Fondacionin “Behgjet Pacolli”. Isha i impresionuar nga idetë dhe kreativiteti i tij. Me bënë nder me pritjen fisnike”, shkruan Pacolli në postimin e tij, teksa ka shpërndarë edhe postimin e Hajdarit.

Nga ana tjetër, themeluesi i fondacionit “Fundjavë Ndryshe”, Arbër Hajdari, tregoi edhe turin që i zhvilloi Pacollit në ambientet e Qendrës së Solidaritetit.

Hajdari tregon se ata vizituan Qendrën Shëndetësore e cila pritet të inagurohet së shpejti, ambientet e bibliotekës së re që do të hapet në shërbim të komunitetit, si edhe kapanonin e magazinimit, ku mblidhen ndihmat e donacionet.

Më pas, ish-presidenti i Kosovës ka zhvilluar edhe një takim me të rinjtë vullnetarë të “Fundjavë Ndryshe”. Në fund, Hajdari i ka dorëzuar Pacollit një medalje dhe certifikatë mirënjohjeje.

“Në fund si drejtuesi i fondacionit i dorëzova medaljen dhe një certifikatë mirënjohje me motivacionin: Mirënjohje për Humanistin, Filantropin, Sipërmarrësin, Behgjet Isa Pacolli:

– për modelin unik dhe veprimtarinë shumëvjeçare në ndihmë të familjeve të varfra nëpërmjet krijimit të vendeve të punës dhe ndihmës humanitare në hapësirën kombëtare dhe jashtë vendit;
– për ndihmën ndaj familjeve të prekura nga tërmeti i Nëntorit 2019”, shkruan Arbër Hajdari në postimin e tij.