Mjeku i njohur, Pëllumb Pipero i bën apel qytetarëve për mbajtje medoemos të maskës dhe të ruajtjes së distancës.
I ftuar në studion e Neës24, Pipero foli edhe për bilancin tragjik të 24 orëve të fundit, teksa theksoi se rimbyllje e vendit nuk është një zgjidhje.
“Mbyllja nuk është zgjidhje, është zgjedhje, më dëgjoni, ju lutem, zgjidhja në këtë moment është mbajtja e maskës kudo, edhe në rrugë, mbajta e distancës, dhe higjiena e duarve dhe ajo personale. Nëse sot vendosim maskën, të garantoj që për dy tre javë numri ulet me dy apo tre herë, më pak të infektuar, të sëmurë, të shtruar në spital dhe dy-tre herë më pak humbje jete. Në mirëkuptoni, ndonjëherë ndodh ta kemi thënë vonë, por asnjëherë nuk është vonë, për të marrë masa”, tha ai.
Pipero theksoi se mbajtja e maskës i mbron deri në 95% qytetarët, ndaj nuk duhet neglizhuar. I pyetur nëse dëmton mbajtja e maskës 8 orë gjatë ditës, Pipero sqaroi se maska e thjeshtë nuk krijon asnjë problem.
“Maska është e nevojshme aty ku nuk ruajmë dot distancën. Është e mërzitshme dhe e lodhshme mbajtja e saj por është zgjidhja e vetme që kemi për të mbrojtur jetën. Është parë si zgjidhje mjaft efektive. OBSH është një organizëm mbarëkombëtar dhe përgjegjës për shëndetin e globit. Udhëzimet e saj duhen zbatuar se bëhet fjalë për një virus që ka pasur shumë të panjohura. Ka pasur edhe keqkuptime. Gjithësesi unë si specialist në ISHP në parim jam kundër mbajtjes së maskë në rrugë. Për shkak të bashkëjetesës me këtë virus, unë them që maska duhet të bëhet e detyrueshme edhe në rrugë, pra ta kemi me vete atë për ta përdorur në ambientet e mbyllura, pra kudo që nuk ruajmë distancën, duhet të kemi maskën. Letra e fundit e shumë shkencëtarëve që thonë se COVID 19 qarkullon në ajër , më bën të mendoj që ta mbajmë edhe në rrugë. Kam qënë kundër, por ajo maskë na mbron. Është e vetmja zgjidhje sot. Dorezat nuk i rekomandojnë studimet. Ato e mbajnë më gjatë virusin nëse bie në kontakt me të. Njëlloj infektohemi nga dorezat nëse prekim me to sipërfaqe të infektuara”, shtoi ai.