Një natë pas protestës simbolike me himnin kombëtar në sfond, pronarët e bizneseve në Lungomaren e Vlorës kanë kyçur bizneset, duke kërkuar shtyrjen e orës policore dhe lejimin e muzikës pas orës 22:00 të mbrëmjes.
Dje në orën 21:45, pjesa më e madhe e bizneseve në shenjë proteste zgjodhën të vendosnin njëherazi himnin kombëtar me zë të lartë, pak para mbylljes së orarit të muzikës. Disa prej pronarëve të bizneseve u përplasën mbrëmjen e djeshme me efektivët.
Policia shoqëroi një administratore lokali dhe tre punonjës, ç’ka ka nxitur dhe protestën e qytetarëve që qëndruan për orë të tëra përballë komisariatit të Vlorës, duke kërkuar lirimin e të ndaluarve.
Ndalimi i pronares se një lokali në Vlorë është shoqëruar me protestë, pasi në shenjë kundërshtie për orën policore, shumë biznese vendosën himnin kombëtar. Të shumtë në numër kanë qenë qytetarët të cilët ishin mbledhur para komisariatit të Vlorës, nga ku kërkuan lirimin e zonjës dhe tre personave të tjerë, e cila u shoqërua nga dhjetëra efektivë policie.
Në orën 03:00 u bë e mundur lirimi i 4 të shoqëruarve. Operatorët e Vlorës kanë paralajmëruar protesta për ndryshimin e fashës orare, pasi sipas tyre, kjo po i pengon në biznes përgjatë sezonit veror, kur ka edhe shtim të numrit të turistëve. Sipas tyre, për shkak të orës policore, bizneset po përballen me kushte të vështira ekonomike.