Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama është i pranishëm në Shtëpinë e Bardhë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të marrë çmimin për Pluralizmin Kulturor, dorëzuar nga i emëruari i Presidentit Trump në krye të Komisionit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Amerikane në Botë, Paul Packer.
Gjithashtu Rama ka folur në lidhje me besnikërinë e shqiptarëve, të cilët sipas tij, nuk kanë treguar asnjëherë tek nazistët. Ai tregoi se ka vende në Shqipëri të cilët, janë krijuar nga hebrenjtë, ndërsa si emër solli Orikumin e Vlorës.
“Jam shumë i nderuar që jam këtu, dhe besoj se kjo faqe e ndritshme e historisë tonë është diçka që duhet ta ruajmë dhe brezat e ardhshëm të jenë të vetëdijshëm për të sepse është një shembull mahnitës për ne dhe në një farë mënyrë na formëson se si jemi e si duhet të jemi. Ka episode të mrekullueshme të historisë sonë, dhe Steven Spielberg (regjisor filmash) s’do mbeste pa punë në Shqipëri, se ka shumë episode, histori të mrekullueshme që mund të bëhen filma të bukur,” tha Rama.
Rama rikujtoi para zyrtarëve të huaj se si një djalë nga Lushnja, drejtor spitali në atë kohë dërgoi në shtëpi të gjithë pacientët hebrenj dhe vendosi përpara spitalit shkrimin: “Mos u u afroni, ka virus vdekjeprurës” dhe nazistët u gënjyen e kështu shtëpuan pacientët hebrenj.
“Ka shumë episode të tilla. Edhe qeveria bashkëpunoi, nuk pranoi kurrë të negocionte asgjë me gjermanët për hebrenjtë. Nuk ka asnjë rast të një shqiptari të shkojë dhe të jepte ndonjë informacion për hebrenjtë tek nazistët dhe shumë prej tyre u fshehën nën identitet myslimane, u adoptuan nga familje myslimane. Kemi qytete të vogla që u krijuan nga hebrenjtë, kemi Jericon-n në Shqipëri që tani është Orikumi,” tha Rama.