Zëdhënësi i presidentit, Tedi Blushi ka reaguar menjëherë pas përgjigjes që Elisa Spiropali i ktheu Ilir Metës.
Përmes një postimi në Facebook, Blushi e pyet ministren nëse kanë marrë konsensusin e SHBA-së dhe BE-së edhe për grushtin e shtetit. Ai e akuzon qeverinë se kanë mashtruar edhe për opinionet që nuk ekzistojnë të KED, Shkollës së Magjistraturës, dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit.
Me nota ironie, Blushi i thotë Spiropalit të mbajë fort oligarkët, pasi popullin do ta shohë shumë shpejt në protestë. Duke iu rikthyer edhe një herë shprehjes “Me qetësi dhe dashuri”, Blushi vendos pikat mbi “i” mbi atë se çfarë është programuar të ndodhë më 2 mars.
Reagimi i plotë:
Moj e Çmendura E., po edhe për grushtin e shtetit keni marrë konsensusin e SHBA-BE? Se Venecian që vetë e kërkuat, po vetë e përzutë!
Megjithatë, ne nuk nxitohemi! Po presim edhe opinionet zyrtare të EURALIUS-it. Se kështu mashtruat ju edhe për opinionet që nuk ekzistojnë të KED, Shkollës së Magjistraturës, dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit, që shkëlqeu me delegjitimimin e ligjit tuaj anti-kushtetues të betimit buzë Lanës.
Mbani fort oligarkët se ata janë të besës.
Sa për popullin, do e shihni shumë shpejt!
Edhe pak durim!
Me qetësi dhe drejtësi!
Për gjuhën jashtë kontrollit, nuk kemi koment, se ti na udhëheq në këtë drejtim bashkë me Skënderbeun tënd.