Presidenti Ilir Meta ka bërë sot një lëvizje që mazhorancës nuk i ka pëlqyer aspak. Duke iu referuar krizës politike në vend, Meta u shpreh sot se është i gatshëm që të rishohë dekretin për datën e zgjedhjeve, në mënyrë që ta shtyjë atë. Po ashtu, ai u ofrua i gatshëm për lënien e mandatit të tij në rast se kjo i shërben zgjidhjes së krizës.
Tashmë, mazhoranca ka një përgjigje për deklaratën e fortë të Metës. Ka qenë kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ai që nga Cërriku deklaroi se “30 Qershori është afat Kushtetues dhe këtë nuk e luan topi”.
Balla u shpreh se më 31 Maj starton fushata elektorale dhe se duhet të zhvillohet një fushatë e qetë dhe të komunikohet me njerëzit:
“Zhvillimi i zgjedhjeve me 30 Qershor është afat Kushtetues dhe nuk e luan topi. Kush do të tentojë të pengojë qoftë edhe një qendër votimi do të hasë në forcën e ligjit”, ka thënë Balla.