Mashtronin duke kërkuar 25 mijë euro për një person të sëmurë, 2 në pranga

Dy të rinj nga Shkodra u vunë në pranga nga policia pasi kryenin veprime kriminale në fushën e krimit kibernetik.

19-vjeçari me inicialet J.M së bashku me bashkëpuntorin e tij, 22-vjeçarin, E.P kishin hapur 10 profile në rrjetin social Facebook, ku kërkonin 25 mijë euro në emër të një personi të sëmurë.

Gjatë komunikimit me njerëzit online, i riu u dërgonte të dhënat se ku do të dërgoheshin këto ndihma financiare. Sipas hetimeve, 22-vjeçari ishte ai që bënte të mundur tërheqjen e parave.

”Pas një hetimi disamujor, duke vlerësuar maksimalisht situatën kriminale të krijuar, Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike ka kryer hetime të plota dhe të shpejta në lidhje me kallëzimin e marrë nga një shtetas, në cilësinë e administratorit të një fondacioni bamirës, për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”, pas konstatimit se një profil në rrjetet sociale kërkonte një ndihmë financiare prej 25.000 eurosh, në emër të një shtetasi që kishte probleme shëndetësore, ndërkohë që ky shtetas nuk kishte njohje me emrin e shtetasit që paraqitej në profilin e rrjetit social.”, informon policia.

Gjatë kontrollit të banesës dhe kontrollit të këtyre personave, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 telefona celular, karta SIM dhe dokumente të llogarive bankare.

Materialet hetimore u dërguan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për vazhdimin e veprimeve të mëtejshme hetimore dhe procedurale, për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”.