Ministrja e Arsimit, Besa Shahini njofton se institucionet arsimore do të qëndrojnë të mbyllura deri më 23 mars 2020.
Përmes një postimi në Facebook, Shahini sqaron se ky vendim është marrë si masë parandaluese ndaj koronavirusit.
Shahini theksoi se fëmijët nuk rrezikojnë nga virusi, por se mund të jenë mbartës të tij. Ajo njofton se pak më vonë do të mbajë një konferencë për shtyp.
Postimi i plotë:
U vendos nga Task Forca për Koronavirusin që të mbyllen institucionet arsimore për periudhë dy javore, deri më 23 mars 2020.
Kjo për arsye frenimi të përhapjes së virusit COVID-19, i cili është shfaqur në dy raste në Shqipëri. Masa është parandaluese dhe frenuese – nuk ka asnjë nevojë e arsye për panik. Po tregohemi shumë të kujdesshëm që të zvogëlojmë maksimalisht mundësinë e përhapjes së këtij virusi.
Mbani mend që fëmijët dhe të rinjtë nuk janë grupmoshë e rrezikuar nga virusi, por mund të jenë bartës. Ndaj, do të pezullohet mësimi në institucionet arsimore.
Masat që secili prej nesh duhet të ndërmarrë individualisht:
• Të lajmë duart shpesh për 20 sekonda;
• Të evitojmë takimin deri në 1 m largësi;
• Të evitojmë grumbullimet e njerëzve.
Për më shumë informacion, pak më vonë do të mbaj një konferencë për shtyp.