Një makinë e dyshimtë dhe një motoçikletë janë detajet e reja që ka pikasur policia pas monitorimit të kamerave të sigurisë, për të zbuluar autorët e vrasjes së 20-vjeçares në Greqi. Mediat greke vijojnë të përcjellin detajet e reja, në lidhje me vrasjen e 20-vjeçares Caroline në sy të fëmijës së saj 11 muajsh.
Kjo ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin publik, dhe autoritetet janë angazhuar për zbardhjen e saj. 20-vjeçarja u vra në mënyrë brutale nga grabitësit në shtëpinë e saj, në sy të fëmijës 11-muajshe dhe bashkëshortit. Mediat greke raportojnë se kanë dalë video të reja nga kamerat e sigurisë, ku japin më shumë detaje rreth një makine të dyshimtë dhe një motoçiklete, e cila u zhvendos në zonë, disa minuta pas orës 05:00 mëngjesit fatal të 11 majit.
Në një një video një javë më parë u pa një makinë e dyshimtë, disa minuta pasi u kthye nga rruga Diadochou Pavlou në Lavriou Avenue. Kamerat e sigurisë kanë fiksuar një makinë dhe një motor të dyshimtë, në zonën ku ndodhi ngjarja e rëndë. Në emisionin investigativ “Dritë në tunel”, një shikues dërgoi pamje të reja video, të cilat tregojnë një makinë të errët dhe një motor.
Materiali specifik është nga kamerat CCTV nga shtëpia e tij në rrugën Karaiskaki, afër shtëpisë së çiftit. Makina e errët kalon në orën 05:07 të mëngjesit të së martës 11 maj dhe katër minuta më vonë, në 05:11, kalon motori, drejtuesi i të cilit duket se ka veshur një xhup me kapuç. Ky material do të shqyrtohet nga autoriteti kompetent policor.
Caroline Crouch ishte në gjumë së bashku me vajzën 11 muajshe dhe bashkëshortin, kur hajdutët hynë në shtëpi. Grabitësit thyen një kamer sigurie kur iu afruan shtëpisë. Më vonë hoqën siguresat nga dritarja e bodrumit dhe u ngjitën në ndërtesë. Fillimisht gjetën qenin e familjes që e mbytën. Më pas lidhën Babis-in dhe Caroline-n ndërkohë që gjithmonë kërkonin paratë. Bashkëshorti tha se kohët e fundit kishin pasur një sasi të mëdha parash, pasi kishin blerë një tokë dhe paguanin punëtorët për ndërtimin. Për të shmangur torturat ndaj gruas, Babis ka rrëfyer se ku i fshihte paratë.