“Masa Rama” dhe sfida morale e opozitës

Nga: Agim Baçi

Prej kohësh, Edi Rama po mundohet të thotë me zë të lartë se as Shqipëria e as shqiptarët nuk ekzistojnë nëse ai nuk i mendon, ose se shqiptarët nuk ekzistojnë nëse nuk mendojnë të vërtetën sipas versionit të tij.

Duke dhënë “adresën e zgjidhjeve politike” pas marrjes së vaksinave në Rinas, përpara kamerave dhe në kohën më të ndjekur televizive, ai shprehet i bindur sikur të ketë gjetur ilaçin më shpresëdhënës për shqiptarët: “Për çdo gjë që ju duhet, drejtohuni tek Edi Rama dhe te Partia Socialiste!”.

Në fakt, një shprehje e tillë, më shumë sesa ofertë, është një kërcënim pasi thjesht kupton ëndrrën e Ramës për t’i ngulitur në mendje çdo shqiptari se, “nëse nuk i vlen pushtetit, nuk vlen për asgjë!”. Ai duket sikur ka zgjedhur në këtë fushatë edhe një përshtatje të thënies së Protagorës, sofistit të parë grek, një thënie tipike të krijimit të një realiteti të ri për publikun: “Edi Rama është masa e gjithçkaje!”.

Nën këtë ritëm ai kërkon me ngulm që shqiptarët të perceptojnë vetëm një Shqipëri,- atë që ai nxjerr çdo ditë në ERTV. Kërkon me ngulm që të shihet pa pushim vetëm veprimtaria dhe deklaratat e tij politike, i bindur, ndoshta, se shqiptarët do jenë një popull që nuk do mendojnë, nuk do përdorin arsye, e, për pasojë, do hanë në grazhdin ku ai hedh çdo ditë tagjinë e propagandës.

Madje, ai tashmë beson se shqiptarët nuk arrijnë të shohin qartësisht as gjërat që kanë në shtëpitë e tyre, në lagjet e tyre, por presin që ai t’ua shpjegojë se ç’u ka ndodhur atyre gjatë ditës në një prej disa daljeve të tij në çdo televizion. Kushdo që e nënvleftëson këtë siguri që ka Rama për të shpallur vetveten “masa e gjithçkaje përpara shqiptarëve”, rrezikon t’i bëjë llogaritë gabim, pasi jemi përballë një realiteti të ri që po ndërtojnë rrjetet sociale dhe televizioni.

Hapja e vendeve të punës vetëm për fushatë, dhënia e legalizimeve derë më derë, prerja e shiritit të çdo shtëpie të ndërtuar dhe krekosja me gjetjen e një grushti vaksinash, janë në fakt e vetmja strategji që ai dëshiron të trumbetojë deri në zgjedhje. Kjo, për faktin se ai kërkon me ngulm të shmangë dhënien e llogarisë për premtimet, për “qeverisjen me tepsinë vetëm”. Ai kërkon të krijojë çdo ditë nga një batutë që e gjithë shoqëria të merret me komentimin e tyre. Kundërshtimi publik i kësaj gjelle që gatuan çdo ditë Rama në televizione e rrjete sociale nuk rrëzohet me fjali me gjuhë të drunjtë, të tipit “Rama ka rënë!” apo “Rama më 25 prill është shporrur!”.

Lexo edhe :   Rama ironizon Bashën: Ka një zë të brendshëm që i thotë fli gjumë

Sondazhet tregojnë një përparim me ngadalësi të opozitës drejt votave që i nevojitet për të përmbysur një qeveri që tashmë nuk e mbështet punën e saj te ndonjë program apo sondazh, por te kërcënimi i çdo shqiptari përmes vendit të punës, sigurisë për pronën, e sidomos te përdorimi i hapur i varfërisë. Ndërkohë, as nuk mundet që opozita të fajësojë ata që e kanë lëshuar të drejtën e tyre për të menduar e për të besuar se janë të zotët e fatit të tyre. Politika e poshtërimit që ka aplikuar Rama në këto tetë vite ka bërë që te shumë prej tyre të fiket virtyti i burrërisë, guximit dhe sidomos kurajës për të kërkuar ndryshimin e statusit.

Qeveria ka krijuar idenë e pronarit të vetëm te shumica e shqiptarëve, e njëkohësisht si punëdhënësi që kontrollon thuajse çdo njësi tjetër punëdhënie. Ky komplot moral i qeverisë Rama kërkon me ngulm një kundërpërgjigje të zgjimit moral, të vlerave që ka në thelb mirëkuptimin ndaj asaj që është e përbashkët. Përballë një qeverie që i ka trajtuar shqiptarët si turmë, si numër dhe i ka bërë presion në mënyrë individuale, është e nevojshme të ringrihet shpirti i komunitetit, i vlerave të përbashkëta, i zgjimit të besimit.

Kjo sfidë e opozitës është thelbësore më shumë sesa shpjegimi i programit. Shqiptarët kanë nevojë për një qeveri normale, që nuk premton të pamundurën, por që do të respektojë shtetin ligjor. Nuk mund të ketë një përballje me poshtërimin dhe talljen pa një zgjim te qytetarët të asaj që e thërret njeriun drejt një jete me dinjitet.

Pa dyshim që rruga që ka zgjedhur kreu i opozitës, duke iu drejtuar qytetarëve me respekt, ndoshta edhe me një modesti premtimesh, nuk është e lehtë në republikën e spektaklit, në të cilën luan prej kohësh z. Rama. Por, edhe pse me shumë hendeqe, ajo e ftesës ndaj qytetarëve për një jetë ku shteti nuk e sheh veten pronar të vetëm të gjithçkaje, të jetës së qytetarëve, është me rëndësi jetike.

Nuk mund të jetë as Rama e as askush tjetër “masa e gjithçkaje”. Vetëm Njeriu- njeriu që beson te vlerat, tek e drejta, tek e ndershmja- mund të na projektojë një masë të rëndësishme për shoqërinë e së ardhmes. Ky rrugëtim nis me shkëputjen nga kthetrat e poshtërimit dhe gënjeshtrës. Në botën e sotme të spektaklit, ku njeriu dëgjon gjithë ditën për një botë tjetër, nuk është aspak e lehtë, por gjithsesi, është e mundur!