E enjte, 2 Dhjetor, 2021
13.5 C
Tirana

Masa e targave, si akt fuqie i gjithanshëm

Nga: Mentor Nazarko

Fillimi i jetësimit nga Kosova të një mase reciprociteti vendosja e targave të përkohshme kosovare për automjetet me targa serbe, është një masë inteligjente dhe me pasoja shumëplanëshe. Të parashikuara dhe dëshiruara nga ideatorët, por dhe jashtë dëshirës së tyre.

Së pari, kjo masë e problematizon dialogun në shkallë globale, europiane, por dhe më gjerë. Me ritmet që ai po ecte, nuk shihej mekanizëm përshpejtues, as karotë dhe as shkop prej ndërmjetësve të BE-së. Hëpërhë, ata janë të vetmit, sa kohë që administrata Biden nuk po përmend mundësinë e ndërhyrjes së saj në këtë dialog.

Pamjet e pikave kufitare të bllokuara, Policia kosovare me armë të rënda, gazi lotsjellës, janë të mjafta për të shkundur kancelaritë europiane apo deri diku dhe amerikane, që e kanë mendjen megjithatë te prioritete të tjera: Gjermania te zgjedhjet parlamentare; Franca te zgjedhjet presidenciale; SHBA-të te kriza posttërheqje nga Afganistani; e gjithë bota te pandemia.

Së dyti, masa në fjalë, rikthen fuqishëm dinjitetin e palës kosovare në dialog, e cila veproi sipas përkufizimit të proletarit sipas Marksit, që Albin Kurti e njeh mirë: “Proletari lufton, sepse nuk ka se çfarë humb, përveç prangave”. E lodhur dhe frustruar nga kundërmasat e vazhdueshme të Serbisë në forume të ndryshme shumëpalëshe që ia mohonin shtetësinë dhe barazinë (përfshi procesin e Berlinit), me fusnota; me truke administrative, nga epërsia e qartë dhe në rritje e Serbisë në planin ndërkombëtar, Kosova dha goditjen e parë.

Së treti, masa e targave ngjan sikur është vetëm masa e targave, po në fakt është më e gjerë sesa kaq, pavarësisht se targa e përkohshme serbe kushtonte 20 euro, ndërsa kosovarja kushton vetëm pesë.

Ajo praktikisht bllokon lirinë e lëvizjes së njerëzve, mallrave midis dy shteteve, import-eksportet, etj., pra, praktikisht realizon reciprocitetin tregtar dhe më shumë sesa reciprocitetin. Kamionët serbë të mallrave, apo veturat, nuk duket se do guxonin të ndërmerrnin individualisht masën e ndërrimit të targës pa një vendim shtetëror të koordinuar. Kësisoj, ky bllokim bëhet mjaftueshëm problematik sa të problematizohet ndërkombëtarisht dhe jo thjesht në plan dypalësh. Për të mos folur, se kësisoj masa në fjalë kontraston fuqishëm me Ballkanin pa kufi, qoftë të trepalëshes Rama-Vuçiç-Zaev, qoftë edhe me Procesin e Berlinit.

Së katërti, masa në fjalë ka efekt imediat bllokimin edhe të përkohshëm kontrabandës që bëhet në Veri të Kosovës, duke ndikuar dhe në çmimet e produkteve të caktuara ushqimore veçanërisht për tregun e komunave serbe, ndonëse efekti në çmime mund të ndihet më vonë.

Së pesti, masa do të ndikojë nëse shtetasit serbë nuk do të vendosin targat e përkohshme dhe në furnizimin e tregut kosovar në përgjithësi: Serbia filloi të rifitonte terren në këtë treg, terren që mund ta humbë nëse do insistojë në këtë kokëfortësi të vetën.

Së gjashti, masa u krijon probleme në jetën e përditshme edhe serbëve të Kosovës, të cilët lëvizin në baza ditore-punë, tregti etj., duke mbajtur makina me targa serbe, pa asnjë problem deri më tani.

Së shtati, masa në fjalë është superiore dhe vështirësisht e qortueshme në raport me taksën 100%, që ishte masë brutale dhe njëdrejtimëshe: masa e targave u mor në kohën kur mbaroi efekti i marrëveshjes së mëparshme për to dhe duket se pala serbe nuk ka dashur të vrasë mendjen(?!) për këtë.

Ky fakt është vënë në dukje me korrektësi dhe nga opozita serbe. Për të gjitha këto arsye, por dhe për të tjera, masa krijon duam apo nuk duam efekt domino të jashtëzakonshëm. Ndonëse ajo nuk nxit dialogun e nivelit të lartë dhe hëpërhë vetëm rinovimin e asaj për targat, ajo e vë në dritë të keqe ndërmjetësin Lajçak, nëse pala kosovare, si thotë ndërmjetësi teknik Bisli mi, e ka paralajmëruar masën. Pse ai nuk ka ndërhyrë apo tërhequr vëmendjen në një përkeqësim kaq efektiv të situatës?

Lexo edhe :   "Tërmet në Ballkan"/Bashkimi Shqipëri-Kosovë, alarmohet Rumania

PLANI I BRENDSHËM DHE DISA PIKËPYETJE

Efektet janë dhe në planin politik të brendshëm. E uritur për një sukses imediat ndaj armikut historik, për më shumë në një periudhë kur numri i vdekjeve dhe i infektimeve ilustron dështimin e kësaj qeverie në luftën ndaj pandemisë, por jo vetëm, Kurti dha një goditje surprizë me efekt të jashtëzakonshëm. Rrjetet sociale, tryezat e debatit, të të punësuarve për debat dhe të papunëve do të gumëzhijnë me këtë fitore të radhës (pas luftës) ndaj serbit. Parë kështu, një masë e tillë, e paralajmëruar, qoftë në forumin dypalësh të Brukselit, qoftë dhe në takimet me Lajçakun, krijon disa pikëpyetje.

Lexo edhe :   "Tërmet në Ballkan"/Bashkimi Shqipëri-Kosovë, alarmohet Rumania

Pse pala serbe nuk ka reaguar më herët në një mënyrë apo në një tjetër, përveç një dalje vetëm dje, të Vuçiçit, që thjesht tregoi se shërbimi serb ishte i informuar për masën administrative të qeverisë Kurti? Ambasadori i Serbisë dhe ish-shefi i zyrës për Kosovën, Gjuriç, e quan “lojë me zjarrin” këtë masë të Prishtinës, ndërsa Vuçiç thirri Këshillin për Siguri Kombëtare, veprim që ndërlidhet pikërisht me pasojat shumëplanëshe të këtij veprimi të fortë të Kosovës. Kur luhet me zjarrin, pse nuk reagohet më herët? A do zgjedhë Serbia një veprim të fortë? Në planin e targave nuk ka shumë hapësirë. Ajo mund të vendosë të destabilizojë veriun e Kosovës, ku ka plot grupe kriminale dhe nata është e frikshme.

Mirëpo, Serbia ka një objektiv shtetëror që ngjan i pandryshueshëm: masat e forta destabilizuese nxisin frikën reale te popullsia serbe, që si pasojë mund të mendojë seriozisht braktisjen e Kosovës. Hëpërhë, Serbia ka zgjedhur të vetëviktimizohet, duke folur për frikësim të popullit serb në Kosovë. Serbia e di veç të tjerash, se kjo masë e qeverisë së Kurtit dhe kundërmasa e saj do të ndikojnë në zgjedhjet lokale, ndërkohë që zgjedhjet e Serbisë janë larg. Koha e zgjedhur për kundërveprimin e Kosovës, apo dhe atë vijues të Serbisë, është interesante si duket. Cila është loja e Serbisë? Të problematizojë që tani çështjen e Kosovës, që të shkojë në dialog sa më shpejt; duke ndikuar do nuk do, në zgjedhjet lokale të Kosovës? Pse do ta dëshironte këtë kurs të zhvillimeve?

KONTEKSTI AMERIKAN DHE SHQIPTARËT E SERBISË

Ka dy lajme që ndihmojnë për të thelluar idenë e avantazhit të Kosovës, posaçërisht reinstaurimin e raportit me administratën amerikane të Biden, ndonëse bllokimi i projektit të gazsjellësit amerikan krijon dyshime. Së pari, vizita e zonjës Vjosa Osmani në SHBA-ku të paktën do të ketë një foto me Presidentin Biden. Së dyti, zhbllokimi i vizës amerikane për zotin Kurti dhe një vizitë e tij në nëntor në SHBA (ndonëse nuk dihet niveli i bashkëbiseduesve të tij). Kosova ngjan se po e thyen bllokadën diplomatike, ku kanë kontribuar dhe mikpritja e afganëve apo ndihma amerikane për vaksinim.

Si do reagojnë efektivisht amerikanët, ndonëse hëpërhë janë sinkron me europianët? A do të shfrytëzojë Kosova iniciativën që i jepet prej masës së targave, duke krijuar zinxhir efektesh pozitive për veten e vet, kjo pritet të shihet. Masa në fjalë do të krijojë për 60 ditë një kosto prej 5 eurosh dhe për shqiptarët e Serbisë, mirëpo Kosova duhet ta realizojë realisht reciprocitetin edhe për ta, në nivel të të drejtave themelore individuale. Duke e trajtuar këtë çështje dhe publikisht, në forume dypalëshe, apo dhe në SHBA. Menjëherë. Në një rast të tillë, shqiptarët e Serbisë do ta paguanin plot dëshirë 5 euroshin e masës së fundit, duke shpresuar se diçka do të bëhet dhe për ta. Më në fund.

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Sebastian Kurz tërhiqet nga politika

Akuzat për korrupsion e detyruan Sebastian Kurz-in të jepte dorëheqjen si kancelar austriak. Kreu i ÖVP tani largohet nga të gjitha funksionet e tij...

24 vende të botës me Omicron, OBSH: Rrezik më i lartë i ri-infektimit

Zyrtarët shëndetësorë thonë se varianti i ri i koronavirusit Omicron tani është bërë dominues në Afrikën e Jugut, dhe po nxit një rritje të...

Greqia konfirmon rastin e parë të Omicron. Gjobë kush nuk vaksinohet

Greqia ka raportuar rastin e parë të variantit të koronavirusit Omicron në ishullin e Kretës, njoftoi sot në mëngjes Ministri grek i Shëndetësisë, Thanos...

Akuzat për “Toyota Yaris”, Balla-Bashës: Kallëzoje penalisht Berishën

Në Kuvend janë rikthyer sërish përplasjet e ashpra ndërmjet mazhorancës dhe opozitës, në lidhje me ndryshimet në ligjin për "Pastrimin e parave". Kreu i...

4 mijë euro për gradën “Nënkomisar”, SPAK del me njoftimin e rëndësishëm

Një kryekomisar, me detyrë Lektor në Fakultetin e Hetimit pranë Akademisë së Sigurisë si dhe një Inspektor në Drejtorinë e Qarkullimit Rrugor të Policisë...