Ish-kryeministri dhe kreu i Vetëvendosjes në Kosovë, Albin Kurti, është përpjekur që të analizojë se çfarë fshihet pas bisedimeve Kosovë-Serbi më 27 qershor.
I ngarkuari i Shtëpisë së Bardhë për të ndërmjetësuar dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, bëri të ditur se qeveria e Kosovës dhe qeveria e Serbisë janë pajtuar që më 27 qershor të takohen në Shtëpinë e Bardhë në Uashington.
Sipas Grenell, kjo po ndodh, pasi të dyja palët u pajtuan që t’i heqin pengesat për dialogun.
Lidhur me këtë vendim, Albin Kurti shprehet se rifillimi i dialogut po i përshtatet kërkesave të Serbisë, si në kohë ashtu edhe në përmbajtje.
Madje ai zbulon edhe më tej disa detaje, pse është vendosur data 27 qershor. Sipas tij, ky takim vjen pas datës 21 qershor kur mbahen zgjedhjet në Serbi dhe datës 24 qershor kur Vuçiç shkon në Moskë për t’u takuar me Putin.
Statusi
Rifillimi i dialogut po i përshtatet kërkesave të Serbisë, si në kohë ashtu edhe në përmbajtje. Data 27 qershor e takimit është aty sepse vjen pas datës 21 qershor kur mbahen zgjedhjet në Serbi dhe datës 24 qershor kur Vuçiq shkon në Moskë për t’u takuar me Putinin.
Në anën tjetër, që Serbia të jetë e kënaqur, u sajua një qeveri koti në Kosovë e cila varet nga secili deputet i Listës Serbe, që hoqi reciprocitetin me Serbinë dhe ju zotua emisarit Grenell që nuk do të kërkojë anëtarësim për Kosovën në organizatat ndërkombëtare. (Kjo e fundit është heqje dorë nga neni 17, paragrafi 1, i Kushtetutës së Republikës së Kosovës.)
Në fakt, më parë se dialog si proces, kjo duket si takim njëditor ku servohen marrëveshjet.
Qasja e këtillë asimetrike që ka për pikënisje pabarazinë e normuar midis Kosovës e Serbisë, sjell veçse marrëveshje të dëmshme, rrjedhimisht të papranueshme e të pazbatueshme. Andaj kjo gjen mbështetje vetëm te politikanë e zyrtarë që nuk përfaqësojnë popullin, sikurse Thaçi e Hoti.