Marrëveshja Bruksel-Londër mbi Brexit, çfarë do të ndodhë tani

“Brussels Times”

Të rraskapitura por të lehtësuara, Bashkimi Evropian dhe Britania e Madhe, njoftuan të enjten në prag të Krishtlindjes, se kishin arritur dakordësinë mbi kushtet e bashkëpunimit të tyre të ardhshëm, dhe një marrëveshje të tregtisë së lirë që do të sigurojë tarifa zero dhe kuota zero për të gjitha mallrat që përputhen me rregullat e origjinës.

Në prag të humnerës, të dyja palët ishin shumë pranë heqjes dorë nga negociatat e mëtejshme, me Britaninë që do të largohej nga BE pa ndonjë marrëveshje. Do të ishte ndërhyrja e drejtpërdrejtë e minutës së fundit nga presidentja e Komisionit Evropian Ursula von Der Lejen dhe kryeministrit britanik Boris Xhonson për të kapërcyer ndryshimet mbi pikën shumë të debatuar peshkimin, një çështje ekonomikisht e parëndësishme, por e ngarkuar me një vlerë simbolike.

Në konferencën për shtyp,Von Der Lejen ia atribuoi rezultatin pozitiv pozicionit të fortë të negociatave të BE-së, bazuar në faktin se unioni është tregu më i madh në botë. “Britania do të dëmtohej më shumë se BE-ja në rast të një mosmarrëveshjeje”-shpjegoi ajo, duke  vënë theksin tek hapi i madh i ndërmarrë në lidhej me çështjen e peshkimit, për të arritur marrëveshjen përfundimtare.

Marrëveshja e plotë me 1.200 faqet e saj nuk është bërë ende publike, dhe as Komisioni nuk ka publikuar ende listën e zakonshme të “Pyetjeve &përgjigjeve”, për të shpjeguar më shumë detaje se mbi çfarë është rënë dakord.

Ndërkohë, është botuar një përmbledhje me 2 kolona, ​​që tregon pasojat e largimit të Britanisë së Madhe nga BE, dhe përfitimet e Marrëveshjes së Tregtisë dhe Bashkëpunimit BE-Britani. Ata që nuk janë shumë të njohur me këto bisedime, mund të pyesin së përse ishte kaq e vështirë të bihej dakord mbi peshkimin, dhe pse kjo pikë kërcënoi të bllokonte të gjithë marrëveshjen.

Qarkullimi vjetor i anijeve të peshkimit të BE-së në ujërat britanike është vetëm rreth 650 milion euro, krahasuar me 850 milion euro për anijet britanike. Anijet në Mbretërinë e Bashkuar kapin rreth 45 për qind të peshkut, zënë rreth 55 për qind të vlerës totale, dhe eksportojnë 80 për qind të peshkut të kapur.

Pra, një sektor i vogël por i integruar, ku anijet britanike dhe ato të vendeve të BE-së peshkojnë dhe nuk njohin asnjë kufizim, do të kishte më shumë shpenzime nëse do të ishin vendosur taksat doganore mbi eksportin.

Për Britaninë, ajo çështje kishte të bënte me sovranitetin mbi ujërat e saj territoriale. Kjo pasi vendet bregdetarë të BE-së, këmbëngulën në të vazhduarit e peshkimit në të njëjtat ujëra.

Lexo edhe :   Basha: Nuk jam piktor, por unë e se di çfarë i duhet Shqipërisë (Video)

Tanimë, sipas marrëveshjes së arritur, Britania e Madhe bëhet një shtet i pavarur bregdetar, dhe është i lirë të vendosë vetëpër qasjen në ujërat e saj dhe zonat e peshkimit, në përputhje me detyrimet e saj ndërkombëtare.

Tani Londra e braktisi Politikën e Përbashkët të Peshkimit – korniza e përbashkët ligjore e BE-së që siguron qasje të barabartë tek ujërat, dhe një menaxhim të qëndrueshëm të burimeve detare. Sipas paktit, shumica e vendeve do të ketë pak a shumë të njëjtën qasje reciproke për peshkimin në ujërat e njëri-tjetrit, gjatë një periudhe tranzitore prej 5 vjetësh e gjysmë.

Gjatë kësaj periudhe, anijet e BE-së do të vazhdojnë të peshkojnë në ujërat bregdetare të Mbretërisë së Bashkuar, përfshirë ujërat e saj të zgjeruara territorialë (6-12 milje detare), edhe pse deri më tani e kanë bërë diçka të tillë.

Në fund të periudhës, BE dhe Britania do të zhvillojnë bisedime vjetore mbi kuotat e peshkimit dhe qasjen në ujërat territoriale të njëri-tjetrit. Sot supozohet se qasja do të vazhdojë, por çdo palë mund të refuzojë hyrjen në ujërat e saj, në këtë rast pala tjetër mund të shkaktojë masa kompensuese, për shembull vendosjen e doganës për peshqit e kapur.

Kryenegociatori i BE-së Mishel Barnie ishte shumë i kënaqur me marrëveshjen mbi peshkimin, dhe premtoi se “BE-ja do të jetë bashkë me peshkatarët evropianë për t’i mbështetur ata”.

Ndërkohë,Barnie ishte gjithashtu më pak i kënaqur me marrëveshjen për lëvizjen e lirë të njerëzve, dhe shprehu keqardhjen që “ambicia për sa i përket lëvizjes së qytetarëve nuk përputhet me lidhjet tona historike”. “Por kjo është zgjedhja që bëri qeveria britanike”-theksoi ai.

Ana pozitive e paktit është se qytetarët e BE-së me qëndrim të ligjshëm në Britani,dhe anasjelltas shtetasit britanikë në BE, janë të mbrojtur nga Marrëveshja e Tërheqjes, dhe do të ruajnë për jetë të gjitha të drejtat e tyre. Por rregullat e reja që do të hynë në zbatim nga 1 janari 2021, do të lejojnë një farë lëvizje por jo lëvizjen e lirë që është në fuqi në union.

Shtetasit britanikë nuk do të kenë më lirinë për të punuar, studiuar, filluar një biznes apo jetuar në BE. Atyre do t’u kërkohen vizat për qëndrimin mbi 90 ditë.

Për qytetarët e BE-së, një klauzolë e mos-diskriminimit e vendosur në marrëveshje, do të sigurojë trajtim të barabartë për vizat afatshkurtra. Koordinimi i disa përfitimeve të sigurimeve shoqërore do ta bëjë më të lehtë punën jashtë vendit, dhe asnjë e drejtë nuk do të humbasë.

Burimi i lajmit: https://www.brusselstimes.com/news/eu-affairs/147047/brexit-deal-the-day-after/

Përshtatur nga TIRANA TODAY