Mjekët ua thonë vazhdimisht pacientëve: Aktiviteti fizik zgjat jetën. Kjo gjë është mëse e vërtetë në rastin e Fauja Singh, një indian i besimit Sikh, që jeton prej vitesh në Angli.
Singh ka lindur më 1 prill 1911, dhe nisi të ecte vetëm në moshën 5-vjeçare. Këmbët i kishte të holla, dhe mezi ecte në distanca të gjata. Njerëzit shpesh e tallnin. Kur ishte i ri, Singh ishte një vrapues amator, por hoqi dorë pa mbushur të 30-at.
Vdekja e bashkëshortes dhe më pas e të birit, e zhyti në depresion. Nga kjo gjendje, do të dilte vetëm kur rinisi të vraponte. Mori pjesë në Maratonën e Londrës në vitin 2000, duke mos e përfunduar dot të gjithën. 4 vite më vonë, në moshën 93-vjeçare vrapoi 42 km për 5 orë e 40 minuta.
Që nga ajo kohë, ka thyer një sërë rekordesh për moshën e tij shekullore. Në tetor 2011, Singh u bë i pari 100-vjeçar që përfundoi një maratonë, duke marrë një letër urimi nga vetë Mbretëresha Elizabeta II.
Singh është 1.72 m i gjatë dhe peshon vetëm 52 kg. Gjendjen e mirë fizike dhe jetëgjatësinë e shpjegon me heqjen dorë nga duhani dhe alkooli, dhe me dietën vegjetariane.
TIRANA TODAY