Në kohën kur e gjithë bota ka përkujtuar legjendën e futbollit Diego Armando Maradona, ka nga ato personazhe që kanë shprehur haptazi urrejtjen dhe mllefin ndaj të ndjerit. Diego Armando Maradona është një prej futbollistëve që padyshim ka lënë gjurmë në futbollin botëror, duke u konsideruar lojtari më i mirë në histori.
Po një futbolliste mendon ndryshe, madje duke e cilësuar Maradonën si një përdhunues. Futbollistja spanjolle Paula Dapena, ka befasuar mbarë botën me refuzimin e saj për të respektuar ikonën e futbollit botëror Diego Armando Maradona.
24-vjeçarja u ul në fushë dhe ktheu kurrizin në momentin që para takimit të ekipit të saj Viajes po mbahej një minutë heshtje për “Lojtarin e Shekullit 20”. Ajo tregoi se “protesta” e saj erdhi në shenjë solidarizimi me Ditën e Dhunës ndaj Gruas, duke shprehur pakënaqësinë ndaj mënyrës se si Diego i trajtonte partneret e tij.
Dapena këmbënguli se do të refuzonte sërish të nderonte Maradonën, teksa e quan atë një përdhunues dhe pedofil. Ajo ka shtuar më tej se ka marrë shumë vlerësime në rrjetet sociale, por njëkohësisht edhe është kërcënuar me jetë.
“E enjtja ishte një ditë kundër Dhunës Gjinore, ndërsa ne mbajtëm një minutë heshtje për një njeri që ka dhunuar gratë, dhe jo për viktimat. Unë nuk pranova ta mbaj atë minutë heshtje për një person që unë e përcaktoj si përdhunues, pedofil dhe keqtrajtues dhe vendosa të ulesha në fushë.
Është diçka që idealet e mia feministe nuk mund ta pranojnë. Për mua Maradona është një futbollist spektakolar, por si njeri kishte shumë gjëra që mund të mos i pëlqeje dhe duhet të vlerësosh për cilësitë njerëzore që ka. Në klubin tim, secili është me mua. Kam marrë shumë vlerësime në rrjetet sociale, por dhe jam kërcënuar me vdekje”, ka deklaruar ajo.